Shkarkimi i Spahiut, mblidhet sërish komisioni hetimor

Komisioni hetimor për shkarkimin e numrit dy të Këshillit të Lartë të Drejtësisë Kreshnik Spahiu zhvillon sot mbledhjen e dytë të tij. Në këtë mbledhje parashikohet të shpalosen faktet dhe të dhënat që vërtetojnë ose jo pretendimin e deputetëve demokratë për mospërputhshmëri të ushtrimit të detyrës së nënkryetarit të KLD-së.
Mbledhja e parë u zhvillua këtë të hënë ndërsa kreu i këtij komisioni Enkelejd Alibeaj njoftoi se zotit Spahiu i është nisur një shkresë zyrtare ku i këkrohet vetë atij të përcaktojë kohën kur do të paraqitet në komision për të dhënë version e tij.
Ndërkohë deputetët e opozitës nuk morën pjesë në mbledhjen e kaluar të komisionit parlamentar për hetimin e Kreshnik Spahiut me arsyetimin se është një nismë jo kushtetuese.
Maxhoranca në kërkesën e saj argumenton se Spahiu ka shkelur ligjet, duke cënuar dinjitetin e institucionit që ai drejton, ndaj dhe nevojitet një komision hetimor.
Komisioni parlamentar për hetimin e nënkryetarit të KLD-së Kreshnik Spahiu kryesohet nga deputeti Enkelejd Alibeaj, sekretare Paulina Hoti dhe i përbërë nga anëtarët Ramiz Çoba, Gerti Bogdani dhe Ledina Aliolli.
Ndërkohë sipas projektvendimit, komisioni hetimor do të zhvillojë punimet e tij brenda një afati 3- javor nga momenti i miratimit.