Shkarkohet Murra, dy policitë, bashkëpunim për zbardhjen e trafikut të drogës
Shkarkohet nga detyra nënkomisar Altin Murra, i arrestuar dy ditë më parë në Stamboll, si i implikuar në trafikimin e 200 kg heroinë. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, deklaroi se ishte njoftuar menjëherë pas operacionit nga drejtori i policisë së Stambollit, ndërkohë që theksoi se po mbahen kontakte me policinë turke për vijueshmërinë e këtij operacioni. “Punonjësi i policisë është shkarkuar menjëherë pasi kam kontaktuar me drejtorin e policisë së Stambollit. Ne po punojmë ngushtësisht për të hetuar lidhur me trafikun e lëndëve narkotike”, - u shpreh Prençi, duke shprehur qartësisht se do japë ndihmën maksimale për të zbardhur këtë linjë trafiku të drogës, me qëllim dhënien e ndihmës në zbardhjen e hetimeve. Dy ditë më parë, nënkomisar Altin Murra, i diplomuar në Turqi në Akademinë e Policisë, u prangos së bashku me dy shtetas të tjerë, njëri shofer i maunes ku ishte fshehur droga dhe tjetri biznesmen. “Oficeri kishte marrë lejen e zakonshme për të kryer një vizitë mjekësore në Turqi më 3 qershor”, - sqaroi Prençi, duke i vënë theksin faktit që çdokush mban përgjegjësi për veprimet që kryen. Kjo deklaratë e kreut të Policisë së Shtetit u bë dje gjatë ceremonisë së largimit të shefit të ICITAP-it.
Ceremonia
Është zhvilluar ditën e djeshme në ambientet e hotel “Tirana International” ceremonia e largimit të Darel Hart, shefi i programit ICITAP, (Program i Qeverisë së SHBA për asistencë pranë Policisë Shqiptare). Në këtë ceremoni merrte pjesë ministri i Brendshëm, z. Bujar Nishani, drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, z. Ahmet Prençi, si dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit. Në fjalën e tij, drejtori i Përgjithshëm i Policisë vlerësoi bashkëpunimin në këto tre vite me misionin amerikan ICITAP. Drejtori i Përgjithshëm vlerësoi të rëndësishëm rolin e zotit Hart, si drejtues i këtij misioni, në drejtim të zbatimit të ligjit dhe të përmirësimit të kapaciteteve institucionale dhe operacionale të policisë. “Këto kontribute kanë përmirësuar ndjeshëm ndjekjen dhe hetimin me profesionalizëm dhe përgjegjësi të veprimtarisë kriminale, veçanërisht krimin e organizuar dhe terrorizmin, duke siguruar dhe përmirësuar rendin dhe sigurinë publike në vend, dhe duke kthyer gradualisht dhe forcuar besimin e komunitetit tek policia. Zoti Hart ka qenë jo vetëm drejtues i një programi që asiston në polici, por edhe një mik i shqiptarëve. Unë ju siguroj se ndihma dhe mbështetja e programit ICITAP, na ka shërbyer dhe do të na shërbejë për t’u orientuar sa më drejt në kryerjen e reformave në shërbimet që ofron policia, si dhe për të qenë të suksesshëm në punën e policisë në shërbim të komunitetit”, - nënvizoi Prençi. Nga ana e tij, ministri i Brendshëm, z. Nishani, falënderoi për kontributin e gjithë bashkëpunëtorëve të programit ICITAP dhe veçanërisht të z. Hart në drejtimin e këtij misioni. “Policia shqiptare ka përfituar nga ky bashkëpunim i Misionit nivele të larta të legjislacionit, struktura funksionale dhe të afta në Policinë e Shtetit, procese rekrutimi, transparente ligjore dhe trajnime mbi kurrikula të përparuara, sisteme moderne elektronike të këmbimit të të dhënave, lidhur me kontrollin e kufirit. Misioni ICITAP është një punë konkrete, një investim konkret, një “partnership” konkret. Çdo cent i shpenzuar nga paratë e qytetarëve amerikanë, për trajnimin e punonjësve të policisë, për forcimin dhe funksionalitetin e institucioneve të ligjit në Shqipëri, ka qenë eficent dhe rezultativ”, - deklaroi ministri. "Meqenëse nuk i kam shkruar ato që do të them, sot do të flas nga zemra. Kam ardhur në Shqipëri në vitin 1995 dhe mund ta them pa hezitim se keni bërë një rrugë shumë të gjatë. Ato miqësi, të cilat i lidha në vitin 1995, i rifreskova me ardhjen time në vitin 2005, ndërkohë që miq të rinj kam njohur dhe do t’i ke, të tillë përjetë”, - u shpreh z. Hart. Në përfundim të fjalës së tij, Darrel Hart theksoi se “duke vlerësuar partneritetin mes Programit ICITAP dhe strukturave të policisë, shpreh bindjen se ju do të vazhdoni t’i gëzoheni sukseseve dhe zhvillimit profesional të mëtejshëm të Policisë së Shtetit”. Në fund të ceremonisë, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, z. Ahmet Prençi, i dorëzoi zotit Hard një certifikatë mirënjohjeje për kontributin e çmuar në rritjen e standardeve të policisë shqiptare, si dhe disa dhurata të tjera, një kostum të policisë shqiptare, stemën e policisë shqiptare, si dhe statujën e Nënë Terezës.