Burgu i Durrësit, 158 milionë lekë investim nga buxheti i shtetit
Me përfundimin e rikonstruksionit, ministri i Drejtësisë, z. Enkelejd Alibeaj, inauguroi dje investimin e parë të buxhetit të shtetit në Sistemin Peneticiar. Rreth 158 milionë lekë për paraburgimin e Durrësit dhe rikonstruksionin e Spitalit të Sëmurëve Mendorë me Mjekim të Detyruar. Ky investim, me një vlerë prej 157.621.000 lekësh, shënon një hap cilësor në përmirësimin e standardeve dhe trajtimit të personave me liri të kufizuar, në përputhje me politikat dhe standardet e BE-së. Paraburgimi ka një kapacitet prej 245 personash dhe spitali, 69 persona. Në fjalën e tij, ministri deklaroi se ky investim është shprehje energjike e vullnetit të qeverisë shqiptare, për të treguar se përmirësimi i trajtimit të të dënuarve është një prioritet i saj. Kushtet e instituteve tona synojnë risocializimin e plotë të të dënuarve”, - tha ministri Alibeaj, duke deklaruar se 4 vjet më parë, sistemi shqiptar i burgjeve ishte mjeran, duke rrezikuar ta nxirrte vendin jashtë strukturave të Këshillit të Evropës. Sipas tij, në vitin 2005 raportet e KE-së e cilësonin gjendjen në burgje dhe paraburgime si alarmante dhe të mjeruar, ndërsa në 2008 raporti i Komitetit Kundër Torturës për herë të parë ka folur me nota optimiste për gjendjen e trajtimit të të dënuarve në vend. “Tashmë ndodh e kundërta, shteti dhe shoqëria përkujdesen për të dënuarit duke synuar të krijojnë një frymë të paqtë konform ligjit dhe Kushtetutës”, - tha ministri. Në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale në Durrës, infrastruktura moderne ka një dallim rrënjësor me situatën e mëparshme të këtij ish-paraburgimi. Ministri i shoqëruar nga drejtori i këtij instituti, Abdulla Duka, u njoh më pas edhe me ambientet e reja. Më parë dhomat ku qëndronin të paraburgosurit ishin të vogla dhe në to rrinin deri në 8 vetë. Tani hapësira është e bollshme dhe brenda standardeve të vendeve të zhvilluara të Bashkimit Evropian. Në të ka 56 dhoma, 4 prej të cilave shërbejnë për të paraburgosurit e mitur. Ky institucion plotëson kushtet optimale për trajtimin me dinjitet të personave me liri të kufizuar, duke iu ofruar atyre kushte bashkëkohore, programe të mirëfillta edukuese, sociale, kulturore, si dhe shërbimin e një stafi të përkushtuar dhe profesional. Në të ka një bibliotekë, fushë basketbolli, dy palestra etj. Në këtë IEVP ka energji 24 orë, ndërsa për ngrohjen e mjediseve ka dy kaldaja si dhe shërben një personel prej 200 vetash. Një nevojë imediate e sistemit ka qenë dhe ndërtimi i spitaleve psikiatrike për të dënuarit, të cilët shfaqin çrregullime mendore gjatë vuajtjes së dënimit të tyre, me qëllim trajtimin e specializuar dhe sigurimin e të gjithë përkujdesit mjekësor. Kjo kategori trajtohej në një institucion të veçantë, në IEVP Krujë, i cili është burg i përshtatur për trajtimin e tyre. Pranë këtij burgu ka një shtesë personeli mjekësor, si dhe të logjistikës mjekësore. Megjithatë, ky institucion nuk mund të konsiderohet “institucion i posaçëm” për personat që vuajnë nga sëmundje mendore, shëndeti mendor i të cilëve nuk është i përshtatshëm me ndalimin në burg.
Funksioni i burgut
Vënia në funksion e spitalit të të sëmurëve mendorë me mjekim të detyruar ka si qëllim realizimin e disa objektivave; trajtimin e specializuar shëndetësor të personave që gjatë vuajtjes së dënimit me burgim paraqesin sëmundje apo çrregullime mendore në institucione të posaçme për këtë qëllim; mbrojtjen dhe përmirësimin e shëndetit, në mënyrë të veçantë atij mendor të të burgosurve; trajtimin e specializuar mjekësor dhe psikiatrik, mbikëqyrjen e vazhdueshme dhe parandalimin e vetëvrasjeve në burgje; trajtimin e të burgosurve me probleme të shëndetit mendor në institucionet e specializuara për trajtimin e tyre, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe praktikat më të mira në fushën e burgjeve; kujdesin e veçantë mjekësor ndaj personave të burgosur që vuajnë nga sëmundje mendore, trajtimi dhe mjekimi i tyre i specializuar dhe parandalimi i ngjarjeve që cenojnë sigurinë dhe integritetin e të burgosurve në burgje. Të gjitha këto përpjekje dhe iniciativa nga qeveria shqiptare bëhen për të përmbushur vizionin e sistemit, i cili është: krijimi i kushteve të duhura për zbatimin me rigorozitet të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga kuadri ligjor ekzistues, duke e shndërruar dënimin penal në një mundësi riedukimi bazuar në standardet evropiane. 2008-2009 ka qenë vit i veçantë për sa u përket investimeve për hapjen e institucioneve të reja penale dhe investimeve për përmirësimin e infrastrukturës së institucioneve ekzistuese. Janë hapur 5 burgje të reja në Fushë-Krujë, Korçë, Vlorë, Durrës dhe Kavajë me kapacitet të përgjithshëm rreth 1200 të dënuar/paraburgosur. Vlera e investimeve është në rreth 12 milionë euro për Fushë-Krujën, Korçën, Vlorën dhe Kavajën dhe 158 milionë lekë për IEVP në Durrës. Ndërtimi i tyre ka sjellë një rritje të kapacitetit pritës me 1.200 të dënuar dhe ka sjellë një ulje të ndjeshme të mbipopullimit. Të dhënat financiare tregojnë se shuma e investimeve në burgje katërvjeçarin e fundit është rreth 1 miliard e 600 milionë lekë për ndërtimin, përmirësimin e kushteve të jetesës së të burgosurve dhe paraburgosurve etj. Ajo është dyfish më e lartë se katërvjeçari pararendës.