Përplasje me armë dhe thika mes adoleshentëve, 2 të plagosur
Përplasjet mes adoleshentëve janë kthyer në një problem për policinë. Për shkaqe nga më të ndryshmet, përveç tyre, në viktima po kthehen edhe kalimtarë të rastit, të cilët as që kanë të bëjnë me sherret e tyre. Një grindje mes adoleshentësh për pak i ka shkaktuar humbjen e jetës një të mituri 10-vjeçar. Në pamundësi për të zgjidhur problemet mes tyre me fjalë, dy adoleshentë nga Durrësi kanë tentuar t’ia lënë vendin pistoletave, por pa menduar gjatë për personat që kalonin pranë tyre. Sipas burimeve policore, gjatë konfliktit mes dy adoleshentëve është plagosur aksidentalisht i mituri 10-vjeçar, i cili thjesht ka qenë duke kaluar dhe në atë moment ka hedhur vështrimin në grupin e të rinjve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në lagjen 18 të qytetit të Durrësit, ku pas grindjes me fjalë mes një grupi të rinjsh, njëri prej tyre ka qëlluar me armë zjarri, të tipit pistoletë. Sipas policisë, fëmija është kapur nga plumbat e dala prej pistoletës tip “TT”, ndërkohë që transporti urgjent drejt spitalit dhe ndërhyrja e mjekëve, bënë që 10-vjeçarit t’i shpëtohej jeta. Forcat e policisë të qytetit bregdetar bëjnë të ditur se tashmë janë vënë në ndjekje të autorëve të ngjarjes, ndërsa i plagosuri ndodhet në spitalin e Durrësit jashtë rrezikut për jetën. Një tjetër konflikt adoleshentësh është shënuar ditën e djeshme, por kësaj radhe në Shkodër. Një i ri goditi me thikë bashkëmoshatarin, ndërkohë që policia brenda një kohe të shkurtër identifikoi dhe arrestoi autorin. Sipas burimeve zyrtare, policia e Shkodrës ka mundësuar arrestimin në flagrancë të 20-vjeçarit Florenc Harusha, lindur e banues në lagjen “Salo Hali” të këtij qyteti, pasi dyshohet të jetë autor i një plagosjeje me thikë. Sipas të dhënave zyrtare të policisë, në vendin e quajtur “Lulishtja para prefekturës”, pas një konflikti me bashkëmoshatarin e tij Albi N., 20 vjeç, edhe ky banues i Shkodrës, Florenc Harusha e ka goditur me thikë në kraharor atë duke i shkaktuar dëmtime. I dëmtuari është dërguar menjëherë në spitalin e Shkodrës, ku ka marrë ndihmën e duhur mjekësore dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën, nën mbikëqyrjen e mjekëve. Menjëherë në vendngjarje ka mbërritur grupi hetimor, i cili ka kryer veprimet e duhura, nga ku rezultoi se ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, pas një sherri mes autorit dhe të dëmtuarit.