E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthen bombula e gazit, digjen dy kate në një pallat



Flakët e zjarrit kanë rrezikuar seriozisht jetën e dy shtetasve grekë, si pasojë e rrjedhjes së gazit nga një bombul gazi, ndërsa këta të fundit ishin në banesën e tyre në Tiranë. Ngjarja ndodhi ditën e djeshme në kryeqytet, në një pallat tetëkatësh, përballë Ministrisë së Drejtësisë. Si pasojë e flakëve u dogjën plotësisht një banesë në katin e gjashtë dhe një tjetër në katin e shtatë. Sipas burimeve nga policia, shkak i rënies së zjarrit kanë qenë flakët e nisura si pasojë e gazit, i cili kishte rrjedhur nga një bombul, të cilën njëri prej tyre po e përdorte. Pallati ishte në pronësi të shtetasit Ilir Harxhi. Sipas banorëve, në këtë pallat ka shumë shtetas të huaj, grekë, italianë, turq e të tjerë, të cilët jetojnë me qira. Pas marrjes së informacionit se kishte një vatër zjarri në një pallat në bulevardin “Zogu i parë”, policia shkoi menjëherë në vendngjarje, së bashku me forcat zjarrfikëse. Pas gati 45 minutash nga fillimi i flakëve u arrit në lokalizimin dhe shuarjen e tyre. Përveç dëmtimeve materiale, të cilat janë të konsiderueshme, nuk ka pasur dëmtime tek banorët dhe njerëzit e tjerë.

Ngjarja

Rreth orës 16:05, në banesën ku jetonin dy shtetas grekë, në bulevardin “Zogu i parë”, përballë Ministrisë së Drejtësisë, në zonën afër Stacionit të Trenit, janë dëgjuar të bërtitura, ku kërkohej ndihmë. Thirrjet kanë tërhequr vëmendjen e banorëve të tjerë, të cilët kanë dalë menjëherë nga shtëpitë e tyre. Në apartamentin ku ata qëndronin me qira janë shfaqur shtëllunga tymi, ndërkohë që flakët janë përhapur në një pjesë të madhe të saj. Lajmi se pallati po digjej ka bërë që menjëherë të zbrisnin poshtë të gjithë banorët “shumëkombësh” të tij. Ndërkohë që, menjëherë është lajmëruar edhe policia dhe zjarrfikëset, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Sipas njërit prej banorëve të pallatit, shtetasi grek dhe djali i tij ishin në banesën e tyre në katin e gjashtë të pallatit. “Donin që të bënin kafe, por e kishin lënë bombolën e gazit hapur. Mbase nga cigarja, mbase nga ndonjë shkëndijë, si pasojë e gazit, gjithçka ka marrë flakë”, - është shprehur ai. Ndërkohë që tjetër banore e pallatit shprehet: “Dëgjuam të bërtitura. Kur kemi dalë jashtë dëgjuam thirrjet: “Ndihmë, ndihmë”. Më pas pamë që kishte flakë dhe që po dilnin njerëzit nga pallati”. Një vajzë që banonte në katin e tretë të pallatit, e cila kishte vetëm pak kohë që banonte në pallat së bashku me të shoqin e saj italian, tregon: “Ne kemi vetëm dy javë që kemi ardhur të jetojmë këtu. Unë isha shtrirë. Kam dëgjuar njerëzit që po bërtisnin. Në fillim thashë mos po ziheshin. Dola në ballkon. Aty pashë që ata po thoshin zjarr-zjarr. Kam parë tym. I kam thënë burrit, i cili ishte duke fjetur. Dil shpejt se ka rënë zjarr. Jemi çuar shpejt ashtu siç ishim, zbathur, e kemi zbritur poshtë të frikësuar”. Ndërsa, një burrë rreth të 40-ve, i cili jetonte gjithashtu në të njëjtin pallat shprehet se ai dëgjoi shpërthime në banesë. “Kishin dalë njerëzit kur dëgjuam shpërthim. U dëgjuan nja dy shpërthime, por përveç flakëve nuk është se u plagos njeri”.

Policia

Pas marrjes së informacionit se në një pallat afër Ministrisë së Drejtësisë kishte rënë zjarr, forcat e policisë u nisën në vendngjarje së bashku me dy zjarrfikëse. Ata kanë rrethuar zonën e rrezikshme, ndërkohë që punonjësit e zjarrfikëses nisën nga puna për të shuar flakët. Pas rreth 45 minutash nga nisja e flakëve u arrit që të shuheshin ato. Si pasojë e tyre, ishte djegur plotësisht banesa në kat të gjashtë, ndërkohë që dëme ka pasur edhe në katin e shtatë. Nga hetimet e para rezulton se nga bombula që përdorej prej dy shtetasve grekë ka rrjedhur gaz. Më pas, flakët mund të kenë nisur nga një cigare e ndezur ose fije shkrepëseje. U morën deklaratat e pronarit të banesës, si dhe të dy shtetasve grekë, të cilët u shpëtuan flakëve.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›