Shkatërrimi i natyrës, parqet pushtohen nga mbeturinat
Për pak ditë njerëzit do të fillojnë ti drejtohen zonave bregdetare dhe Gjiri i Lalësit është një nga destinacionet më të preferuara të qytetarëve të Tiranës dhe Durrësit. Përgjatë gjithë vijës bregdetare, plazhi shoqërohet edhe nga pylli i pishave, i cili tërheq akoma më shumë frekuentues, të cilët e shfrytëzojnë atë edhe para fillimit të sezonit të plazhit.
Por edhe sivjet, gjendja mjedisore në këtë park është më shumë se dramatike. Lëndinat brenda këtij parku janë shndërruar në vendgrumbullime mbeturinash. Mjediset e tij janë të mbushura me qese, shishe, kanaçe, letra e gjithëfarësoj mbetjesh të tjera që ndodhen aty që nga koha e pranverë-verës së vitit të kaluar, si pasojë e frekuentimit të tij nga njerëzit të cilët panë kanë ngrënë e kanë pirë, kanë lënë aty të gjitha mbeturinat. Por brenda parkut ka edhe pirgje të mëdha mbeturinash, të cilat janë kryesisht mbeturina lokalesh dhe restorantesh. Thuasje të gjitha baret dhe restorantet që janë ndërtuar përgjatë plazhit dhe që kanë marrë me qera sipërfaqe ranore nga komuna, të gjitha mbeturinat që prodhojnë i shkarkojnë vetëm pak metra larg rërës, pikërisht në lëndinat e parkut.
Janë pirgje shishesh të hedhura nëpër lëndina e madje edhe në brezin e rërës, shumica të thyera, duke bërë që këto mjedise të bëhet përfundimisht të pafrekuentueshme si pasojë e rrezikut të dëmtimit nga xhamat.
Edhe pse kanë marrë me qera modeste sipërfaqe të tëra rëre, ata nuk mbajnë asnjë përgjegjësi për ndotjen që i shkaktojnë mjedisit.
Pushteti vendor, administrator i këtyre territoreve, nuk ka marrë asnjë masë, së pari për të ndëshkuar sipërmarrësit që pasi e shfrytëzojnë për interesa të tyre, e shkatërrojnë në mënyrë tragjike mjedisin.
Pamjet që na ofron sot parku i pishave në Gjirin e Lalësit është një dëshmi tronditëse se ky vend i bukur banohet, për fat të keq, nga njerëzit më të pakulturuar të Europës dhe qeveriset nga pushteti më i papërgjegjshëm, si vendor ashtu edhe qendror, në Europë.
Mentor Kikia
No related posts.