E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkatërrohen Sarajet e Toptanasve

Sarajet e Toptanasve, monument kulture të kategorisë së parë, sot po kthehen në lokal. Drejtoria rajonale e monumenteve të kulturës në Tiranë ka dhënë alarmin për shkatërrimin e këtij monumenti kulture. Ish-Biblioteka Kombëtare e kohës së Mbretit Ahmet Zogu dhe ish-Instituti i Monumenteve të Kulturës po dëmtohen nga dita në ditë e më shumë. Qiramarrësit e ndërtesës së ish-Bibliotekës Kombëtare apo sarajeve të Toptanasve kanë filluar të ndërhyjnë në arkitekturën e kësaj ndërtese për ta shndërruar në një lokal, ndërkohë që kjo banesë e vjetër karakteristike i ka humbur vlerat e saj. Qiramarrësit në brendësi të saj kanë prishur pjesët e konstruksionit e po ashtu kanë shembur muret ndarëse të dhomave, duke zhdukur imazhin që kishte. Kjo banesë, që ishte një shtëpi e mbyllur e shtresës së pasur feudale, i përket periudhës 1839-1912. Por sot ka humbur çdo detaj që e identifikonte si banesë njëshekullore. Në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës në Tiranë mësojmë se i është kërkuar inspektoratit ndërtimor në Ministrinë e Transporteve që të ndërhyjë për mbrojtjen e kësaj ndërtese e cila ka vlera, por askush nuk iu është përgjigjur.

Arbër Kadia, specialist në Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Kulturës së Tiranës, tha për "Fiks Fare" se punimet në këtë banesë janë të paligjshme, pasi ajo është klasifikuar si monument kulture i kategorisë së parë. Ai tregon se kanë lajmëruar Inspektoratin e Përgjithshëm të Transporteve, ndërkohë që Ministria e Kulturës ka bërë një padi në prokurori, por punimet vazhdojnë.

Po kështu, edhe shefi i sektorit juridik në Institutin e Monumenteve të Kulturës, Tiranë, z.Admir Hoxha, ngre supet dhe pranon se kaq kompetenca kanë. E dinë shumë mirë se çfarë po bëhet, por nuk mund të ndërhyjnë, ndërkohë që në banesën e Toptanasve punimet janë drejt përfundimit. Ky objekt është shpallur monument kulture i kategorisë së parë në vitin 1963. Që nga ky moment, të gjitha ndërhyrjet restauruese duhet të bëhen me leje nga institucionet e kulturës. Banesa i përket periudhës së Rilindjes. Gjatë mbretërimit të Mbretit Zog, ajo ka shërbyer si Bibliotekë Kombëtare. Më pas, për një periudhë 30-vjeçare në të ka qenë vendosur Instituti i Monumenteve të Kulturës. Banesa ka qenë e shtetëzuar nga regjimi i kaluar, ndërsa pas viteve ‘90, objekti në fjalë iu kthye pronarëve të tij, por statusi i banesës nuk është ndryshuar. Ajo vazhdon të jetë monument kulture i kategorisë së parë.

Shtëpia e Brarit

Në fshatin Brar të Tiranës është një shtëpi muze, monument kulture e kategorisë së parë, me vjetërsi 350-vjeçare.

Sot është lënë në mëshirë të fatit. Të zotët e shtëpisë as e shembin dhe as e ndërtojnë dot. Nuk i lejon ligji "Për trashëgiminë kulturore", pasi banesa është monument kulture e kategorisë së parë. Për herë të fundit është restauruar në vitin 1983-1984. Por me kalimin e viteve kjo banesë është amortizuar, muret janë shembur, çati nuk ka fare. Kanë mbetur shumë pak elementë të shtëpisë karakteristike të zonës së Dajtit.

Ajo i përket familjes Meta, është 350-vjeçare si dhe një nga shtëpitë më karakteristike të zonës së Dajtit. Deri në vitet 1976 të zotët e shtëpisë jetonin atje dhe e mirëmbanin. Po në këtë vit kjo banesë u shpall monument kulture e kategorisë së parë, pasi kishte vlera historike dhe arkitektonike. Kanë jetuar në këtë banesë deri në vitin 1985. Që nga ai vit, askush nuk ka vënë më dorë në këtë shtëpi monument kulture. Pronarët e shtëpisë kanë kërkuar nga shteti që të restaurohet, sepse po degradon çdo ditë, por sipas njërit prej pronarëve të saj, zotit Isuf Meta, institucionet që merren me mirëmbajtjen e monumenteve të kulturës u kanë kthyer përgjigje negative. "Shtëpia ka vlera dhe duhet t‘ia ruajmë këto vlera. Ne si familjarë me shpenzimet tona nuk e përballojmë dot. Nëse u duhet si monument kulture, ta restaurojnë; në të kundërt, do ta shembim dhe do ta ndërtojmë vetë", thotë përpara kamerës së "Fiks Fare" një prej pronarëve të banesës, z.Isuf Meta.

Ligji për trashëgiminë kulturore

Neni 28 i ligjit për trashëgiminë kulturore shprehet në këtë mënyrë: "Monumente kulture të kategorisë së parë janë ndërtimet me vlera të spikatura dhe me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore. Ato ruhen në tërësinë e përbërësve të tyre arkitektonikë dhe teknikë. Kompozimi i vëllimeve, trajtimi arkitektonik i pamjeve të jashtme dhe të brendshme, si edhe zgjidhja planimetrike dhe funksionale e këtyre monumenteve, nuk mund të ndryshohen". Gjithashtu, në bazë të nenit 13, personat fizikë ose juridikë që kanë në pronësi objekte të regjistruara me vlera të trashëgimisë kulturore, janë të detyruar të krijojnë kushtet e nevojshme për mirëmbajtjen e këtyre objekteve. Për restaurimin e këtyre objekteve, ata janë të detyruar t‘u drejtohen institucioneve shtetërore të specializuara ose subjekteve të licencuara për këtë qëllim, sipas përcaktimeve të këtij ligji".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›