E Diel, 1 Nëntor 2026

AniFestRozafa, i pari festival ndërkombëtar i filmit të animuar në Shqipëri

Shkodra, qyteti i cili do të presë në vjeshtë krijues të animacionit nga e gjithë bota

Ishte fundi i dhjetorit 1975, kur në ekranin e kinemasë shqiptare do të shfaqej një film i pazakonte dhe i çuditshëm për publikun shqiptar. Disa kartona, që lëviznin në ekran dhe do të flisnin shqip. Ishte filmi i parë i animuar për fëmijë Zana dhe Miri. Ishin dy

autorë të rinj në moshë, që kishin ëndrra, dëshira dhe pasion për të hapur një dritare të re në kinematografinë shqiptare, por ata nuk mund ta merrnin me mend, se ajo kohë e shpenzuar në atë film, do të ishte sot guri i themelit për 200 filma animuar shqiptarë. Në vijim të aktivitetit të krijuesve të animacionit, në vendin tonë vjen AniFestRozafa, që është i pari festival i përvitshëm ndërkombëtar i filmave të animuar për fëmijë, që do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës. AniFestRozafa është i vetmi festival me karakter konkurrues në këtë gjini. Krijuesit e filmit të animuar dhe fëmijët artistë, të cilët merren me realizimin e filmave të animuar nga e gjithë bota, janë të mirëpritur të prezantojnë punët e tyre. Ky festival ofron një mundësi unike për realizimin e një filmi të përbashkët gjatë ditëve të qëndrimit në qytetin e Shkodrës. Nga ana tjetër ky festival është sinonimi i takimit të artistëve vendas dhe të huaj dhe një mundësi më shumë për të njohur historikun e kësaj treve të pasur me legjenda dhe objekte monumentale. Drejtori i festivalit Artan Maku tregon se ky është një eveniment madhështor, i cili do të jetë një traditë në vendin tonë. AniFestRozafa është një eveniment madhështor, i cili do të zhvillohet çdo vit. Në  këtë festival do të jenë dhe 80 filma të animuar për 35 vjetorin e filmit të animuar. Gjithashtu ky festival është anëtar dhe i shoqatës evropiane të filmit për fëmijë, pohon drejtori i festivalit producenti Artan Maku. Ky festival, i cili do të zhvillohet nga muaji tetor në qytetin Shkodrës, sipas organizatorëve ka një hartë të gjerë gjeografike. Shumë aplikime për të konkurruar në këtë festival, nga shtete të ndryshme të botës tregojnë dhe rëndësinë e tij. Aplikimet kanë nisur më 1 prill për të përfunduar më datë 1 korrik. Ky festival do të zhvillohet në teatrin Migjeni të Shkodrës dhe deri tani janë mbi 60 aplikime nga Italia, Franca, Argjentina, Japonia, Rusia, Egjipti, Anglia, etj. Në këtë festival do të ketë dhe disa çmime, ku i madhi do të jetë për filmin më të mirë të animuar të vitit, tregon drejtori Maku. E ndërkohë që nga organizatorët bëhet e ditur se zhvillimi i tij është menduar në data 4-9 tetor. Kryetari i Bashkisë së Shkodrës, i cili edhe e mbështet këtë festival z.Lorenc Luka, e cilëson si të rëndësishëm për jetën kulturore të qytetit. Organizimi i një Festivali Ndërkombëtar të Filmit të Animuar për Fëmijë, është një ngjarje e bukur, jo vetëm për to, por për të gjithë qytetarët e Shkodrës. Qyteti ynë prej vitesh mban traditën e organizimit të Festivalit Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë. Organizimi i një festivali tjetër, kësaj here me dimension ndërkombëtar, është akoma më i mirëpritur nga bashkëqytetarët e mi. E vlerësoj qëllimin e mirë të organizatorëve, për të aktivizuar fëmijët në realizimin e filmave të animuar, përfshirjen në këtë javë kulturore e festive të shumë fëmijëve artistë nga e gjithë Shqipëria dhe bota, shprehet në fjalën e tij kryetari Luka. Ky festival organizohet nga Shoqata e Animacionit Shqiptar, dhe organizata Koha e fëmijëve.


Historia e filmit të animuar shqiptar
Vitet kalonin dhe filmat animuar shqiptarë të realizuar, ndoqën njëri tjetrin. Një armatë e tërë krijuesish do të  derdhnin pasionin e tyre, duke skalitur portretin e kësaj gjinie. Pasionin dhe ëndrrën e Vlash Dobronikut dhe Tomi Vasos, e ndoqën po me të njëjtën korrektësi dhe disiplinë, për tu respektuar, krijues si Bujar Kapexhiu, Tonin Vuksani, Boris Ikonomi, Esperanca Konomi, Artur Dauti, Artan Maku, Jani Zhonga, Gazmend Leka, etj, piktorë ekzekutues si: Natasha Vodica, Elefteri Mella, Zamira Keçi, Alma Devolli, Vehap Kokalari, Zana Thaçi , Milto Carka, etj. Operatorët si: Tomi Vaso, Jovan Kondakçiu, Diana Diamanti, Vangjush Valla , Sonja Mamaqi dhe Leonard Dorri. Koha kërkoi domosdoshmërinë e krijimit dhe përsosjes të kësaj gjinie, prandaj ishte kjo armatë krijuesish, që ju përgjigj ritmit të kohës. Fazat e ndryshme që kaloi filmi i animuar në zhvillimet e tij, ishte e detyruar të prekte të gjitha teknikat bashkëkohore të asaj kohe si: kartoni i lirë, kartoni i animuar, vizatime të pasqyruar në celofan, kukullat të animuara, etj, ndërsa sot te krijuesit e rinj janë parë tendenca në përdorimin e teknikave bashkëkohore kompjuterike. Për realizimin e filmave të animuar sot financon Qendra Kombëtare Kinematografike e Shqipërisë. Në politikat e filmit të animuar, është edhe bashkërealizimi i filmave me kompanitë e huaja. Një sukses i tillë ishte bashkëpunim i Ert-Time Lapse Pictures Hellas-Maku production, në realizimin e filmit të animuar Esenca e Jetës me regjisor Jani Zhonga.


Nga Julia Vrapi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›