E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkëlqim Cani: Administrata tatimore ka korrupsion galopant

Fondacioni “Qemal Stafa” diskutoi dje rreth politikave fiskale dhe monetare.

Të ftuar në këtë tryezë ishin ekspertë të ekonomisë dhe financave, ekspertë të huaj dhe vendas, përfaqësues të Fakultetit Ekonomik Shtetëror dhe Universiteteve private, përfaqësues të komunitetit të biznesit të madh e të vogël etj. Në fjalën hapëse të kësaj tryeze, drejtori ekzekutiv i fondacionit, Sajmir Tahiri, tha se “kjo tryezë vjen vetëm pak ditë pasi Gjykata Kushtetuese ktheu ligjin ‘Për Gjobat’, një ligj që mishëronte arbitraritetin e planifikuar të qeverisë si dhe të gjithë filozofinë e marrëdhënieve të shtetit dhe administratës fiskale me komunitetin e biznesit, një marrëdhënie të ndërtuar mbi themelet e abuzivizmit, arbitraritetit dhe represionit”. Ndërsa anëtari i Bordit të Fondacionit “Qemal Stafa” dhe ish-guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Shkëlqim Cani, tha se “ligji për Procedurat Tatimore që u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese është vetëm një shembull i mungesës së vizionit të qeverisë, e cila improvizon pa pyetur për komunitetin e biznesit. Nga ana tjetër, administrata tatimore karakterizohet nga brutaliteti, mungesa e theksuar e profesionalizmit dhe korrupsioni galopant”.
Duke analizuar treguesit ekonomikë të vitit 2007, Cani tha se, “vihet re se defiçiti buxhetor është në rritje galopante nga viti 2007 e deri sot”. “Pritet që edhe spekulimet politike me prerjet e shiritave të ndikojnë akoma më shumë. Borxhi publik është edhe më i lartë se standardet evropiane dhe të vendeve të tjera, ndërkohë që ka paaftësi për menaxhimin e borxhit dhe spekulime me treguesit. Shpenzimet publike nuk justifikojnë rezultatin e kërkuar, ndërkohë që këto shpenzime pritet të rriten për shkak të vitit elektoral dhe blerjes së votave. Duket se inflacioni është i pabindur, ndërkohë që politika për shënjestrimin e inflacionit është ende prej 7 vjetësh në studim, kohë të cilën e konsiderojmë të tepërt”, tha Cani. Përmes këtyre tryezave, “Qemal Stafa” do të përcaktojë orientimet mbi të cilat do të orientohet programi qeverisës i socialistëve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›