E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skema e re; Si do të bëhen spitalet shqiptare



Vetëm dy muaj ndajnë spitalet e gjithë vendit nga zbatimi i reformës në shëndetësi. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore ka vendosur që nga fundi i muajit mars, rreth 42 spitale të hyjnë në skemën e sigurimeve shëndetësore. Ndryshimi pritet të jetë rrënjësor, duke hequr mbetjet e sistemit të vjetër për të mbjellë të riun, sipas ISKSH-së.

Specialistë të tjerë janë skeptikë dhe mosbesues. Madje, shkojnë më tej, duke u kujtuar nismëtarëve se reforma mund të dështojë për shkak të mungesës së burimeve njerëzore dhe përvojës.

Por realisht, çfarë do të ndodhë me hyrjen e spitaleve në skemën e sigurimeve shëndetësore? A janë të përgatitura mjaftueshëm për të përballuar një ndryshim të tillë? Në çfarë gjendjeje janë spitalet aktualisht dhe sa premton për ndryshim reforma e re?

Paratë e pacientëve

Do të përcaktohet një paketë bazë shërbimesh, e cila do të jetë falas për të gjithë kontribuuesit dhe personat që përfitojnë mbrojtje nga skema e sigurimeve. Personat aktivë, por të pasiguruar, duhet të paguajnë për shërbimin.

Janë të përcaktuara tarifat për këtë kategori, që do të jenë shumë transparente. Përjashtim do të bëjnë shërbimet e urgjencës, që do të garantohen falas për të gjithë popullatën.

“Ne do të krijojmë një rrjet në të gjitha spitalet, që do të identifikojë përfituesit e shërbimeve dhe do të dallojë të siguruarit nga të pasiguruarit. Grupet e punës janë duke punuar për të përcaktuar paketën bazë të shërbimeve, që do të përfshijë shërbimet kryesore që spitalet ofrojnë sot”, - thotë znj. Hana.

Viti 2009 do të jetë një vit tranzicioni, që do të thotë se kjo paketë shërbimi do të zhvillohet në atë mënyrë që të jetë uniforme për të gjithë republikën. Shërbimet dhe aksesi i popullatës në to duhet të jetë sa më uniform në të gjithë vendin.

“Hapi tjetër është përcaktimi i kostos së kësaj pakete. Pasi të kemi detajuar kostot, do të vlerësojmë sa hapësirë kemi për ta zgjeruar shërbimin në vitin 2010”, - sipas znj. Hana.

Si do të bëhen spitalet

Ajo çka do të ndryshojë fillimisht është mënyra e funksionimit dhe administrimit të spitaleve. Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor do të ketë kontrata të posaçme me 42 spitalet në të gjithë vendin.

Fillimisht ISKSH-ja do të nënshkruajë kontratat e nivelit të parë me drejtorët e spitaleve deri në fund të marsit 2009, ku do të përcaktohen qartë detyrimet e palëve dhe sanksionet në raste shkeljesh, duke filluar që nga mitmarrja.

Po ashtu do të nënshkruhen kontratat e nivelit të dytë mes drejtorëve të spitaleve dhe stafit tjetër mjekësor. ISKSH-ja do të paguajë mjekët dhe stafin tjetër të spitaleve, si dhe do të mbulojë gjithashtu medikamentet e spitaleve.

Për këto do të ketë një buxhet të përcaktuar për spitalet të cilin do ta shpërndahet në fillim të vitit, buxhet që do të vetëmenaxhohet nga spitali.

Deri tani spitalet kanë qenë në varësi të Ministrisë së Shëndetësisë, me një mënyrë funksionimi tërësisht të centralizuar. Pra, spitalet kishin një buxhet fiks, i cili menaxhohej nga Ministria e Shëndetësisë dhe nuk ishte i lidhur me eficiencën e vetë spitalit.

“Ajo që synojmë ne përmes nisjes së kësaj reforme, është dhënia e një autonomie të caktuar vetë spitaleve, të cilat do të jenë përgjegjëse për furnizimin me medikamente, pasi do të jenë ato vetë që do të përcaktojnë nevojat dhe do të realizojnë tenderët për ilaçet, - thotë Elvana Hana, drejtore e ISKSH-së. - Sigurisht do të jenë të kontrolluara për përdorimin e këtyre fondeve nga ISKSH-ja, në mënyrë që ato të shkojnë për nevojat e pacientëve dhe sipas kritereve të përcaktuara nga qeveria e Ministria e Shëndetësisë”.

Në një fazë të dytë, synohet që jo vetëm medikamentet, por edhe pjesa tjetër e veprimtarisë, siç janë investimet, të kalojnë në vetë administrim nga spitali.

Problemet që hasen

Akoma pa filluar mirë reforma, ka dalë ngërçi i parë. Problemi i hasur ka të bëjë me borxhet që kanë spitalet. Sipas institutit, asnjë spital nuk do të hyjë në skemë pa shlyer borxhet, të cilat kapin vlerën e 640 milionë lekëve të deklaruara. Sipas drejtores së ISKSH-së, znj. Hana, deficiti financiar i institucioneve shëndetësore do të mbulohet përpara se të nisë zbatimi i skemës. “Spitalet vazhdojnë të punojnë me borxhe dhe për këtë arsye në fazën e parë, që është faza përgatitore, ne do të identifikojmë këto nëpërmjet kontratës dhe do të kërkojmë adresimin e këtyre borxheve nga qeveria që natyrisht në bisedat paraprake që janë bërë nuk do t’i ngelen as spitaleve, as ISKSH-së”, - tha drejtorja Hana.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›