E Diel, 1 Nëntor 2026

Mbyllen pranimet me Turqinë, kurimet falas vetëm në Greqi

Në janarin e vitit të ardhshëm rinovohet marrëveshja

MSH: Janë njoftuar pacientët për mbylljen e pranimeve

Mbyllen pranimet për pacientët që kërkojnë të kurohen falas në Turqi. Pa përfunduar akoma viti, është arritur të plotësohet numri i pacientëve që përfitojnë nga marrëveshja me shtetin turk. Ministria e Shëndetësisë konfirmon për “Standard” se kanë përfituar nga kjo marrëveshje plot 100 pacientë dhe si e tillë aplikimet për kurim drejt këtij vendi për këtë vit konsiderohen të mbyllura.

Marrëveshja

Në bazë të marrëveshjeve të nënshkruara nga Ministria e Shëndetësisë pacientët shqiptarë përfitojnë kurimet falas në Greqi dhe Turqi, në bazë të cilave brenda një viti mund të dërgohen 100 pacientë në dy vendet përkatëse. Për këtë zëdhënësja për shtyp në Ministrinë e Shëndetësisë, znj. Brikena Arapaj, konfirmon se “janë mbyllur pranimet për dërgimin e pacientëve për t’u kuruar në Turqi si shkak i plotësimit të numrit të akorduar në bazë të marrëveshjes”.

Ndërkohë që marrëveshja me spitalet e Greqisë vazhdon. Për ata pacientë që nuk mund të përfitonin nga marrëveshja me Turqinë, shumë mirë mund të aplikojnë në Greqi.

Përmes marrëveshjeve që Ministria e Shëndetësisë ka me homologet e saj në Greqi dhe Turqi, mjaft pacientë shqiptarë gjejnë përgjigje në spitalet e këtyre vendeve për problemet e tyre me shëndetin. Për kurimin e sëmundjes ministria dhe shteti pritës marrin përsipër gjithçka përfshi këtu edhe shpenzimet e operacionit, pra pacienti do të kurohet falas. Sëmundjet që deri në ditët e sotme nuk kanë gjetur trajtim mjekësor në vendin tonë, kurohen në shtetin grek dhe turk.

Pacientët

Fatlumët për t’u kuruar në spitalet e Turqisë me sa duket kanë qenë pacientët të cilët kanë aplikuar në fillim të vitit. Kërkesat tejet të larta të shqiptarëve dhe pamundësia e tyre për të përballuar kurimin në vende të tjera, ka shtuar kërkesat për t’u mundësuar kurimin falas. Si shkak i fluksit tejet të lartë të pacientëve shqiptarë për trajtim mjekësor në spitalet turke, kanë mbetur pa plotësuar numri i marrëveshjes me shtetin grek, ku me sa mësohet nga MSH-ja, edhe më këtë vend ka marrëveshje dhe mund të dërgohen për kurim gjithashtu 100 pacientë në vit.

Ndonëse zyra e shtypit sqaron se janë njoftuar pacientët sërish pranë zyrës së marrëdhënieve me jashtë vazhdojnë të vijnë kërkesa për kurim në Turqi.

Zamir Llamaj ka operuar djalin në kokë në urgjencën kirurgjikale në QSUT. Ai pohon se djali i tij është 25 vjeç dhe mjekët i kanë thënë pas operimit se ka komplikacione, pasi i ka infektuar plaga, duke i prekur edhe pjesë të tjera të kokës dhe se duhet dërguar me urgjencë për kurim jashtë shteti. Pas kësaj Llamaj tregon se ka nisur aplikimin për dërgimin e të birit për kurim në Turqi. Por pasi ka mësuar se janë mbyllur aplikimet, shpreson që kërkesa e tij të mund të gjejë pranim në spitalet greke.

.

Dokumentacioni për pacientët që duan të shkojnë për kurim jashtë shteti

Për pacientët që kërkojnë kurim falas në bazë të marrëveshjeve janë të nevojshme këto dokumente:

1-Epikrizë nga Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza”

2-Vendim Komisionit Ndërspitalor në QSUT

Këto dokumente, nëse bëhen për t’u dërguar në Greqi, duhet të jenë të përkthyera dhe të noterizuara në greqisht.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›