E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër-Hani i Hotit, asnjë gjurmë punimesh

Rruga

Në rrugën Shkodër-Hani Hotit, e përfolur prej 10 vitesh se do nisë të ndërtohet sipas një standardi bashkëkohor, ende nuk duket asnjë gjurmë nga fillimi i punimit. Duket se problemet e njëpasnjëshme dhe së fundi problemet me shpronësimet kanë zvarritur investimin. Shkak i bllokimit është bërë vlerësimi që qeveria u ka bërë banorëve të zonës, për 300 lekë m2. Pronarët e truallit ku shtrihet rruga, shprehen të shqetësuar për një vlerësim të tillë çmimi, që nuk përputhet me vlerën reale të rrugës. Një banor i zonës, Arben Rrjolli, thotë se “nuk është aspak e arsyeshme që të më vlerësohet toka sa një metër plastmas. Nëse sot kërkon të blesh tokë këtu është disa herë më shtrenjtë se çmimi qesharak që qeveria kërkon të kompensojë. Nuk jemi aspak dakord dhe do të përdorim të gjitha mjetet ligjore për ta ndaluar”. Ndërkohë, një grup banorësh që u preket prona nga ndërtimi i rrugës kanë proceduar dhe më tej për shqetësimin e tyre, duke e çuar çështjen deri në Gjykatën e Strasburgut si e vetmja mënyrë ku mund të marrin një gjykim të paanshëm. Kryetari i Qarkut Shkodër, Gjovalin Kolombi, është shprehur se nuk ka asnjë pengesë ligjore që punimet në këtë aks të ndërpriten, ndërsa pranon problemet. Rruga Shkodër-Hani i Hotit është bashkëfinancim i qeverisë italiane me atë shqiptare, që kap shifrën e rreth 40 milionë eurove.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›