E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdes në traget marinari filipinas, prokuroria nis hetimin

Durrës

Një nga pjesëtarët e ekuipazhit të tragetit “Venezia” është gjetur i vdekur dje në dhomën e tij. Ndonëse dyshohet për një atak kardiak, trupi i marinarit filipinas është dërguar për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Me të mbërritur në Portin e Durrësit, natën e kaluar, kapiteni i tragetit ka njoftuar agjencinë detare “Kad” dhe përmes saj policinë lokale, për gjetjen e marinarit të vdekur. Marinari Wilson Rosaria Gabuten, 51 vjeç nga Batac Ilocos Norte i Filipineve, sipas dëshmive të anëtarëve të ekuipazhit vuante dhe nga hipertensioni. Ai punonte si marinar në tragetin “Venezia” të linjës Trieste-Durrës dhe kthim. Nga veprimet e para të grupit hetimor, rezultoi se vdekja është shkaktuar si pasojë e një ataku kardiak. Gjithsesi, materialet për veprime të mëtejshme kanë mbërritur në Prokurorinë e Durrësit, e cila ka kërkuar kryerjen e autopsisë për të përcaktuar ligjërisht shkakun e vdekjes së shtetasit të huaj.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›