Shkodër; Mbërrin në spital me fyt të prerë, mister vdekja e të moshuarës
Një 72-vjeçare nga Vau i Dejës ka mbërritur në spitalin e qytetit verior në Shkodër me prerje thike në fyt. Sipas policisë, Dake Mrozi nga Vau i Dejës ka ndërruar jetë në spital ku ishte transportuar nga familjarët e saj. Policia po heton pistën e vrasjes dhe atë të vetëvrasjes së të moshuarës. Ka qenë ora 12 kur në banesën e Dake Mrozit ka hyrë nusja e shtëpisë, e cila ka gjetur vjehrrën e saj të prerë në fyt. Menjëherë 72-vjeçarja është dërguar në drejtim të spitalit rajonal të Shkodrës ku dhe ka humbur jetën si pasojë e gjakderdhjes. Bluzat e bardha kanë bërë të pamundurën për të shpëtuar jetën e 72-vjeçares, por nuk kanë arritur dot pasi prerja në fyt ka qenë e thellë. Dake Mrozi prej vitesh jetonte e vetme në Vaun e Dejës, pasi djemtë i kishte në emigracion, ndërkohë që pranë shtëpisë saj jetonte edhe nusja e djalit. Përveç vetëvrasjes, uniformat blu po hetojnë edhe pistën e “vrasjes me dashje” të kryer nga persona të cilët e njihnin mirë viktimën. Policia nuk ka dalë akoma me një version zyrtar për këtë ngjarje, por deri tani, sipas informacioneve paraprake, nga ekspertiza ligjore bëhet e ditur se ngjarja ka më shumë të ngjarë të jetë një vrasje sesa akt vetëvrasës.