Fier; Zjarr në Levan, digjen 10 ha ullishte e shkurre
Një zjarr i madh ka përfshirë kodrat e Levanit në qytetin e Fierit. Qindra rrënjë ullishte janë përfshirë nga flakët, ndërkohë që dy zjarrfikëse kanë shkuar në vendngjarje për shuarjen e zjarrit. Era ka qenë një favorizuese në përhapjen e zjarrit dhe e ka bërë të vështirë shuarjen e tij, ndërkohë që edhe terreni i vështirë nuk është favorizues. Fatmirësisht, flakët kanë qenë larg banesave dhe nuk ka pasur rrezik. Për shuarjen e zjarrit kanë ndihmuar edhe forcat e policisë me mjete rrethanore. Sipas policisë, zjarri që ka përshirë mbi 10 hektarë ullishte e shkurre, është i qëllimshëm. Po në Fier, dy ditë më parë, flakët e zjarrit ranë dhe në vendin e quajtur Qafa e Koshovicës ku u dogjën më dhjetëra pisha pranë rrugës nacionale Fier-Vlorë. Si pasojë, për disa momente trafiku u bllokua. Flakët e zjarrit kanë rrezikuar dhe një prej banesave aty pranë. Ndërhyrja e shpejtë e zjarrfikësve bëri të mundur neutralizimin e vatrës së zjarrit, ndërkohë që forcat e policisë kanë shoqëruar në komisariat disa persona, pasi mendohet që zjarri të jetë vënë në mënyrë të qëllimshme.