Gjirokastër; Akuzohet për kultivim droge, prangoset 57-vjeçarja Ruko
Akuza për kultivim hashashi ka vënë në pranga një shtetase 57-vjeçare nga një fshat i Gjirokastrës. Sipas burimeve të policisë së Gjirokastrës, mësohet se e ndaluar është Arzime Ruko, lindur në fshatin Stërmbec të rrethit Përmet dhe banuese në fshatin Humelicë të rrethit Gjirokastër. “Ajo u ndalua se Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër me shkresë të posaçme ka urdhëruar ekzekutimin e vendimit nga policia, pasi 57-vjeçarja ka qenë e dënuar me dy vite heqje lirie për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike”, parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal”, - thanë burimet e policisë lokale. Sipas hetimeve të bëra, kjo shtetase në vitin 2007, në fshatin Humelicë, kishte mbjellë në një parcelë, pronë e saj, rreth 40 rrënjë bimë narkotike, të cilat i janë sekuestruar nga ana e policisë. Kapja e saj u bë në fshatin Humelicë në banesën e saj dhe është shoqëruar në vendin e vuajtjes së dënimit.