E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të martën nis pajisja e qytetarëve me certifikata të printuara

Pas ditës së hënë të javës së ardhshme, në zyrat e gjendjes civile do të nisë shpërndarja e certifikatave të printuara. Falë hedhjes së të dhënave në database dhe përfundimit të hedhjes së të dhënave në regjistrin elektronik, shpërndarja e certifikatave në formë të printuar do të shkurtojë kohën e shërbimit kundrejt qytetarëve, por në të njëjtën kohë edhe do të ofrojë sigurinë maksimale. Në kuadër të këtyre ndryshimeve në zyrat e gjendjeve civile, zv.ministri i Brendshëm Z.Ferdinand Poni, zhvilloi dje një takim me kryetarët e njësive bashkiake të Tiranës për t’u komunikuar detyrat e fundit para zbatimit të shërbimit për dhënien e certifikatave për qytetarët në formë të printuar. Zv.ministri Poni, pasi falënderoi krerët e njësive bashkiake për bashkëpunimin e deritanishëm, e cilësoi këtë moment mjaft të rëndësishëm pas etapave të tjera të përfunduara për përgatitjen e Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile, hedhja e të dhënave dhe certifikimi i tyre. “Shpërndarja e certifikatave në formë të printuar do të shkurtojë kohën e shërbimit për qytetarët e po kështu do të ketë sigurinë maksimale, pasi të dhënat do të merren nga database elektronik, tashmë i pastruar nga dublimet dhe i certifikuar”,- u shpreh Poni. Zv.ministri i Brendshëm bëri të ditur gjithashtu se do të ketë mekanizma të duhur të teknologjisë së informacionit për të mos lejuar në asnjë mënyrë gabime apo edhe keqpërdorime të mundshme në shërbimin e dhënies së certifikatave në formë të printuar. Puna për përgatitjen e sistemit të zyrave të gjendjes civile në Tiranë dhe transmetimin e të dhënave për këtë shërbim do të kryhet gjatë kësaj fundjave, si dhe ditën e hënë kur këto zyra nuk do të jenë të hapura për shërbim ndaj qytetarëve. Ndërkohë, gjatë kësaj jave do të kryhet edhe trajnimi i punonjësve të zyrave të gjendjes civile për zbatimin e këtij shërbimi. Në takimin e Zv.ministrit të Brendshëm, z.Ferdinand Poni, me kryetarët e njësive bashkiake të Tiranës ishte i pranishëm edhe Z.Frank Nahn, shef i projektit të BE-OSBE, që së bashku me Statistic Norway, asiston dhe mbështet projektin e Regjistrit Elektronik të Gjendjes Civile.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›