Shkodër; Pëson defekt goma, automjeti del nga rruga, 3 të plagosur
Dy ditë më parë, në aksin rrugor Shkodër- K/Bushat, tek kryqëzimi i fshatit Melgush, një automjet tip Benz 190, ngjyrë e bardhë me targa SH 3821 D, ka dalë nga rruga duke shkaktuar një aksident automobilistik. Automjeti, në pronësinë e shtetasit Oltion Sherri, vjeç 30, lindur dhe banues në qytetin e Lezhës, duke udhëtuar nga Lezha në drejtimin e Shkodrës, ka pësuar një defekt, në gomën e parë të krahut të djathtë të mjetit. Si pasojë e këtij defekti, drejtuesi ka humbur kontrollin duke rënë nën rrugë, duke u aksidentuar shtetaset Suela Sherri, bashkëshortja e drejtuesit të mjetit, vjeç 24, të cilës i është dhënë ndihma e parë në urgjencën e spitalit rajonal Shkodër dhe më pas është dërguar në spitalin e Tiranës për një mjekim më të specializuar, si dhe me dëmtime të lehta Ermira Shala, vjeç 41 dhe Lumturie Shala vjeç 51, të cilat udhëtonin si pasagjere në mjetin e drejtuar nga 31-vjeçari. Pasi kanë marrë mjekimin e duhur, kane dalë nga spitali dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Pasi u kryen veprimet e duhura, u bë sekuestrimi i automjetit dhe materialet në ngarkim të shtetasit Oltion Sherri i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”.