E Diel, 1 Nëntor 2026

Malësi e Madhe; Përplasen motoçikletat, aksidentohen dy shtetas

Një tjetër aksident ka ndodhur dy ditë më parë në aksin rrugor Shkodër-Koplik. Në vendin e quajtur fshati Vrakë komuna Gruemirë, rrethi Malësi e Madhe, janë aksidentuar shtetasit Tom Struga, vjeç 54, banues në Fushë-kuqe, rrethi Kurbin dhe shtetasi Eduart Meçaj, vjeç 22, lindur dhe banues ne fshatin Brigje – Hot, komuna Kastrat, rrethi Malësi e Madhe. Sipas burimeve zyrtare policore, nga veprimet hetimore të kryera rezulton se në momentin e aksidentit, shtetasi Struga ka qenë duke udhëtuar me motoçikletë tip Kinro 100 cc, ngjyrë e zezë, pa targa, nga Malësia e Madhe në drejtim të Shkodrës dhe shtetasi Eduart Meçaj me një motoçikletë tip Gaxhiva 125 cc, ngjyrë blu me shirita të bardhë, pa targa, me drejtim nga Shkodra drejt Malësisë së Madhe. Po të njëjtat burime shtojnë se që të dy shtetasit e aksidentuar, pasi iu dha ndihma e parë mjekësore, ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Materialet në ngarkim të shtetasve Tom Struga dhe Eduart Meçaj i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprën penale të “Shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor”, ndërsa mjetet e aksidentit u dërguan në pikën e bllokimit në komisariatin e Policisë së Malësisë së Madhe.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›