E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, Uruci: Problemet me listat janë të qëllimshme

SHKODËR- Kandidati i Aleancës për të Ardhmen në Shkodër, njëherazi kreu i PS të rrethit ka denoncuar problemet e mëdha me listat zgjedhore, të cilat sipas tij ekzistojnë ende edhe pse tashmë procesi i hartimit të listave konsiderohet i mbyllur. Sipas Genci Uruçit, Partia Socialiste ka denoncuar prej kohësh problemet në listat e zgjedhësve, por nuk ka pasur bashkëpunim nga bashkia e Shkodrës.

“Në të gjitha kutitë e votimit që ka në dispozicion qytetari shkodran për votime, padiskutim në një numër shumë të madh ka njerëz të cilët nuk kanë kodin e adresës. Janë 27 mijë persona pa kod adrese, bie mbi 30%. Në logjikën normale, këtu kemi të bëjmë me një mashtrim të madh elektoral. Listimi në këtë mënyrë nuk është bërë për pamundësinë që ka Bashkia e Shkodrës për të evidentuar njerëzit pa kod adrese, por është bërë i qëllimshëm për të legalizuar atë mashtrim 20 vjecar që realizoi në Shkodër. Nëpërmjet përfaqësuesve tanë ligjorë do kërkojmë zyrtarisht pavlefshmërinë e listave. Ne nuk ndalim asnjë qytetar të majtë, që kundërshtimin e listave ta bëjë edhe me forma të tjera”,- deklaroi Uruci.

Problemet më të mëdha në listat e zgjedhësve në Shkodër kanë të bëjnë me kodin e banesave apo ekzistencën e dublimeve të emrave.
(m.a/NEWS24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›