E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, fermerët: Po na prishen prodhimet, s'kemi treg

SHKODËR - Fermerët shkodranë nuk kanë mundur që këtë vit të marrin të ardhurat e pritshme nga prodhimet e tokës dhe kjo për mungesë tregu të shitjes apo probleme me vaditjen e tokës.


Fermerët e fshatit Dobër në Malësinë e Madhe janë të shqetësuar për mungesën e tregjeve të shitjes së prodhimeve të tyre të fushës, ndërsa i kërkojnë shtetit që të ndërhyjë për të stimuluar prodhimin vendas . Mungesa e tregut për shitjen e prodhimeve, sipas fermerëve, është më prezente këtë vit.


Sipas tyre, çmimet të cilat u ofrohen nga tregtarë të ndryshëm, janë shumë të ulëta dhe nuk nxjerrin as koston e shpenzimeve të bëra për mbjelljen e tokës dhe shërbimet ndaj bimës. Kryesisht janë perime, si: domatja, speci, patëllxhani etj që rrezikojnë të kalben në fushë, pasi nuk ka treg shitje për to.


Në fshatin Dobër, i cili ka një traditë të hershme në kultivimin e perimeve, aktualisht janë të mbjellura rreth 50 ha me perime dhe 2 ha me sera. Fermerët kërkojnë ndihmën e specialistëve të bujqësisë dhe shtetit për shitjen e produkteve, të cilat mbillen në hapësirën e tyre, ndihmë kjo që, sipas tyre, deri tani ka munguar.


Ndërsa në fshatin Mjedë fermerët që e mbjellin sipërfaqen e tokës së tyre me bimë, si: misër, grurë, perime etj, shprehen se mungesa e vaditjes ka bërë që toka të mos japë prodhimin e pritur.


Ndonëse fshati i tyre fushor është i rrethuar nga ujërat, vaditja e tokës mungon pasi kanalet përkatëse janë të bllokuara e nuk pastrohen. Adriatik Hasmegaj, banor i Mjedës, shprehet se toka mbillet, punohet dhe i bëhen të gjitha shërbimet, por uji mungon.


"Këtë verë nuk ka pasur reshje shiu dhe prodhimi ka qenë i pakët, sa nuk mbulon as shpenzimet e bëra. Ne kemi kudo ujë e kanale, por ato nuk pastrohen dhe uji për vaditje mungon. "Disa prej fermerëve janë përpjekur të gjejnë mënyra të tjera për vaditje duke përdorur gjeneratorë e pompa thithëse që e marrin ujin në kanal dhe me të vadisin tokën.


Por kjo mënyrë nuk është efikase pasi, përveç kostos së lartë, e bën vaditjen me ritme të ngadalta dhe të zgjatura, gjë që e dëmton bimën e mbjellë. Janë rreth 50 ha tokë e mbjellë në Mjedë, që vuan nga mungesa e ujit për vaditje, edhe pse në këtë zonë ka ujë.


Fermerët shprehen se ata paguajnë dhe taksën e tokës, ndërsa shteti nuk merr asnjë masë për të siguruar gatishmërinë e funksionimin normal të kanaleve vaditëse, të cilat prej vitesh nuk mirëmbahen, as pastrohen. A.Dushi

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›