E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, “fshesë” lavazheve pa leje

SHKODER – Nis aksioni “Fshesa” ndaj lavazheve të paligjshme në qytetin e Shkodrës. 

Një grup Task Force në përbërje të të cilit ka specialistë të Ndërmarrjes së Ujësjellësit, të Policisë Bashkiake dhe Policisë së Shtetit ka kaluar në “sitë” të gjithë pikat e lavazheve të qytetit verior. Ky inspektim është bërë për të evidentuar lavazhet që ndërhyjnë në rrjetin e ujit të pijshëm, duke sjellë në stinën e verës uljen e nivelit të këtij uji për banorët e qytetit. Sipas kryetarit të Task Forcës pranë Ndërmarrjes së Ujësjellësit, Abdyl Zejnuni, është konstatuar se në qytetin e Shkodrës rezultojnë të jenë rreth 35 subjekte të tilla që përdorin në mënyrë të paligjshme ujin e pijshëm. Deri ditën e djeshme, aksioni i ndërmarrë ka ndërprerë furnizimin me ujë të 5 lavazheve. “Ky aksion i Task Force në bashkëpunim me Policinë Bashkiake do të vijojë dhe në ditët në vazhdim, deri në ndërprerjen e ujit në të gjitha lavazhet e identifikuara”, ka pohuar Zejnuni. “Në të ardhmen do të lejohet të punojnë vetëm ato lavazhe që rezultojnë se furnizohen me ujë të nxjerrë nga shpimet e ndryshme që kanë bërë vetë pronarët e tyre”, shprehen drejtuesit e Ndërmarrjes së Ujësjellësit, pasi shpime të tilla nuk kanë ndonjë kosto të madhe për vetë praninë e ujërave nëntokësore në rajon. r.d

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›