"Sherr" për para me dhëndrat e Enverit
Genci Boga, dhëndri i djalit të ish- diktatorit, kërkoi në gjykatë marrjen e një vendimi ekzekutimi për borxhin që i ka atij Klement Kolaneci
Arkitekti i njohur kishte nënshkruar një deklaratë noteriale ku pohonte se i kishte marrë 100 mijë euro juristit të njohur
TIRANË- Vetëm pak ditë pasi një bankë e nivelit të dytë në kryeqtytet me vendim të Gjykatës së Tiranës, i mori shtëpinë vajzës dhe dhëndrit të diktatorit Enver Hoxha, për mos pagim të këstit të kredisë, dje u urdhërua që Klement Koloneci të shlyejë "borxhin" prej 100 mijë eurosh ndaj dhëndrit të djalit të diktatorit, avokatit të njohur Genc Boga.
Sipas vendimit të djeshëm të gjyqtares Brunilda Kasmi, deklarata noteriale e firmosur me 4 maj 2010 nga marrësi i 100 mijë eurove, Klement Koloneci dhe dhënësi i "borxhit" Genc Boga ka marrë titull ekzekutiv dhe atë duhet ta zbatojë Zyra e Përmbarimit.
Vendimi u dha me kërkesë të paditësit Genc Boga, që i kërkoi gjykatës, ligjërimin e deklaratës noteriale me nr.2791 rep. nr. 386 kol. të datës 4 maj 2010, ku firmëtari Koloneci i njohur edhe si bashkëshorti i vajzës së Enver Hoxhës, Pranverës, pranon borxhin ndaj dhëndrit të djalit të dytë të diktatorit Hoxha.
"Gjykata, pasi shqyrtoi provat e paraqitura në dy seancat gjyqësore, atë të datës 3 qershor dhe datës së djeshme, vendosi të pranojë kërkesën e paditësit Boga. Duke lëshuar urdhrin e ekzekutimit të titullit ekzekutiv, deklaratën noteriale me nr.2791 Rep., Nr.386 Kol. të datës 4 maj 2010, të bërë nga shtetasi Klement Koloneci para noterit Agim Robo, për shumën 100.000 (njëqind mije) Euro.
U ngarkua gjithashtu Zyra e Përmbarimit për ndjekjen dhe zbatimin e këtij urdhri ekzekutimi"-thuhet në diapozitivin e vendimit me nr.1738 të firmosur nga gjyqtarja Kasmi.
Ndërkohë, mësohet se po pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, kjo kërkesë e paditësit Boga është bërë edhe më herët, por në seancën e datës 20 maj 2010 me gjyqtarin Arjan Aliaj, përfaqësuesi ligjor i paditësit avokat Gerhard Velaj ka hequr dorë, duke detyruar gjyqtarin ta pushojë si çështje.
Por, vetëm 8 ditë pas heqjes dorë, kërkesa është përsëritur në Gjykatë duke kërkuar ligjërimin e deklaratës noteriale si titull ekzekutiv, ku pas hedhjes në short elektronik është caktuar gjyqtarja Brunilda Kasmi për gjykimin e çështjes, e cila vendosi dje të pranojë kërkesën.
"Shekulli" gjatë pasdites së djeshme ka tentuar të kontaktojë me paditësin Boga, duke kontaktuar në zyrën e tyre ligjore duke i lënë një numër kontakti për të sqaruar vendimin si dhe në adresën elektronike të avokatit Velaj është dërguar një letër, ku i është kërkuar një koment për çështjen, por nuk ka pas asnjë përgjigje.
Gjithashtu, "Shekulli" ka bërë përpjekje për të kontaktuar edhe me dhëndrin e diktatorit Enver Hoxha, shtetasin Klement Koloneci por në numrat telefonikë që ndodhen në numëratorin e Tiranës, nuk është përgjigjur njeri.
Genc Boga, është martuar me vajzën e Sokol Hoxhës, djalit të dytë të Enver Hoxhës dhe prej kohësh drejton zyrën ligjore "Boga - Associates".
Klement Koloneci, është i martuar me Pranvera Hoxhën, vajzën e vetme të diktatorit Enver Hoxha, me profesion arkitekt dhe drejtues i studios së tij private të arkitekturës, "Enigma". Së bashku me të shoqen e tij, Pranvera Hoxha, njihet si bashkautor i projektit të ndërtimit të "Piramidës" në qendër të kryeqytetit.