Shkodër, turqit kërkojnë të investojnë në ndërtim
Një delegacion zyrtar i Sekretariatit të Tregtisë së Jashtme Turke ka zhvilluar një vizitë pune në Bashkinë e Shkodrës. Gjatë këtij takimi, kryebashkiaku Lorenc Luka i njohu miqtë turq me situatën e investimeve në përgjithësi dhe të huaja në veçanti në qytetin e Shkodrës, me përpjekjet e bashkisë dhe të qeverisë për t‘u krijuar kushte këtyre investitorëve për të shtrirë investimet e tyre edhe në Shkodër. Ndërsa kryesuesja e delegacionit turk, zonja Ulker Guzet, u shpreh se biznesmenët turq do të jenë të gatshëm të japim kontributet e tyre në rrugën e zhvillimit që ka ndërmarrë qyteti i Shkodrës, kryesisht në fushën e ndërtimeve. "Ne jo vetëm që do t‘ju mbështesim, por ju garantojmë besueshmëri, cilësi dhe korrektesë", tha Guzet. Delegacioni turk vinte në Shkodër pas një vizite pune në shtetin fqinj të Malit të Zi ku kishin nënshkruar një marrëveshje shtetërore për tregtinë e lirë.