E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vetëvritet nga pakujdesia gjahtari

28/11/2011  U rrëzua dhe nga përplasja u shkreh arma, vdes Refik Mehja

Viktima kishte dalë për gjah me miqtë e tij në malin e Taraboshit

SHKODER- Shtetasi 50-vjeçar Refik Mehja, banues në fshatin Zues të komunës Rrethina, të rrethit të Shkodrës ka humbur jetën si pasojë e shkrehjes pa dashje të armës së tij të gjahut. Burimet policore shprehen se ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të së dielës kur shtetasi Mehja kishte dalë me shokët e tij për të gjuajtur shpend në malin e Taraboshit. Gjatë gjuetisë, shtetasit Mehja i ka rrëshqitur këmba dhe ka rënë nëpër shkëmbinj. Përplasja ka shkaktuar dhe shkrehjen e pavullnetshme e çiftes që mbante me leje, saçmat e së cilës kanë qëlluar trupin e gjahtarit Mehja. Gjahtarët e tjerë e kanë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Shkodrës me shpresën se do i shpëtonin jetën. Ndërhyrja e mjekëve nuk ka bërë të mundur shpëtimin e gjahtarit Mehja, pasi çiftja e tij i kishte shkaktuar plagë tepër të rënda. Forcat e policisë dhe grupi hetimor, të mbërritur me shpejtësi në vendngjarje kanë arritur në konkluzionin paraprak se vrasja ka qenë aksidentale për shkak të pakujdesisë së vetë viktimës. Megjithatë, hetimet vijojnë deri në daljen e rezultatit përfundimtar për këtë ngjarje. Vrasja e shtetasit Mehja shënon rastin e dytë në zonën e Shkodrës, në një hark kohor njëmujor, të vetëvrasjes me armë gjahu nga pakujdesia. Pak javë më parë u vetëvra në Zagorë, me çiften e tij, nga pakujdesia, 47-vjeçari Shpend Kruja, kryetar i Shoqatës së Gjuetarëve të Tiranës. V. Abdyli

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›