Shkon në shtëpi për të grabitur, e plagos i zoti
Në Lushnjë dy persona me maskë dhe të armatosur i kanë grabitur punonjësit të kazinosë 400 mijë lekë
Korçë Shkon të vjedhë, e plagosin gjatë aktit kriminal. Një 20-vjeçar ka mbetur i plagosur në gjendje mjaft të rëndë, ndërsa ka tentuar të kryente një vjedhje në një lokal. Ngjarja e rrallë në llojin e saj është regjistruar gjatë natës së kaluar në fshatin Polenë të rrethit të Korçës. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë, mësohet se 20-vjeçari Andrea Sheme ka pasur si qellim vjedhjen e lokalit që ndodhej në një godinën e banesës së shtetasit Ilirjan Lato, ndërkohë që anëtarët e familjes së lartpërmendur ndodheshin brenda në shtëpi. Familjarët kanë pikasur zhurmat, ndërsa ka qenë pikërisht kryefamiljari Ilirjan Lato, i cili ka qëlluar me një armë gjahu çifte në drejtim të 20-vjeçarit hajdut që i kishte hyrë në pronën e tij për të vjedhur. Hajduti ka mbetur i plagosur rëndë në pjesën e qafës pas plagëve të shkaktuara nga goditja e armës së gjahut në drejtim të tij. Andrea Sheme, pas mjekimit bazë në spitalin e Korçës, për shkak të gjendjes së tij të rënduar shëndetësore është transportuar menjëherë në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Autori i ngjarjes, 20-vjeçar, është banor i fshatit Goskovë në Korçë, teksa ka shkuar qëllimisht në Polenë për të kryer vjedhje. Policia juglindore bën të ditur se si autori i plagosjes ashtu edhe 20-vjeçari ndiqen penalisht në gjendje të lirë për dy vepra të ndryshme penale. Për të zotin e dyqanit që qëlloi me armë zjarri mbi të riun hajdut rëndon akuza “Plagosjes së rëndë me dashje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme”. Ndërkaq, Andrea Sheme do të përballet para drejtësisë me akuzën “Vjedhje e ngelur në tentativë”.
Ndërsa mëngjesin e djeshëm rreth orës 03.30 të mëngjesit është dhënë njoftim në sallën Operative të Komisariatit të Policisë Lushnjë, se në lagjen “Kongresi i Lushnjës” dhe konkretisht në një lokal me lojëra fati, në pronësi të Arben D. janë futur dy persona të maskuar, të cilët i kanë vjedhur me dhunë punonjësit të lokalit shumën prej rreth 400 000 lekësh. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë shkuan menjëherë pranë vendit të ngjarjes për hetime lidhur me ngjarjen.
Nga këto shërbime vazhdon puna intensivisht për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Irena Vreto