Shkon për të peshkuar, zhduket 47-vjeçari
SHKODËR - Një 47-vjeçar është zhdukur që nga mbrëmja e së premtes dhe dyshohet që të jetë mbytur në ujërat e lumit Buna.
Enver Zeneli, me banim në lagjen "Bahçallëk" në Shkodër, baba i dy fëmijëve të mitur, ka dalë nga banesa e tij mbrëmjen e së premtes pasi punonte roje pranë një fushe minifutbolli në afërsi të Urës së re të Bunës, e cila është në proces ndërtimi.
Me vete ai ka marrë dhe mjetet e zënies së peshkut, pasi ishte i apasionuar dhe e ushtronte atë. Por ndërsa familja ka pritur kthimin e tij të shtunën në mëngjes, kjo nuk ka ndodhur. Sipas dëshmive të të njohurve të familjes, fillimisht është menduar se ishte vonuar duke peshkuar, por vonesa e tij jo e zakonshme ka bërë që ai të kërkohej.
Dy shokë të tij, me të cilët peshkonte, kanë gjetur në bregun e lumit Buna rrjetën, rrobat, celularin dhe disa mjete të Enverit. Menjëherë është lajmëruar policia, pasi dyshohet se 47-vjeçari ka hyrë në lumë për të tërhequr grepat e peshkimit dhe aty është rrëmbyer nga uji e ka ngecur në shkurret poshtë.
Policia me mjetet e saj ka patrulluar lumin Buna në të dy krahët e tij, duke kontrolluar dhe pemët e zonat me bimësi të lumit, ndërsa paraditen e djeshme është kërkuar dhe ndihma e polumbarëve. Pesë polumbarë të ardhur nga Tirana janë zhytur në lumin Buna për të kërkuar gjurmët e 47-vjeçarit, por pa mundur ta gjejnë atë.
Për shkak të errësirës, kërkimet janë ndërprerë për të rifilluar përsëri të hënën. Sipas policisë, pista kryesore është ajo e mbytjes aksidentale në ujë të 47-vjeçarit, por kjo akoma e pavërtetuar.