Instruktori i autoshkollës shkakton aksident
Një autoshkollë ka shkaktuar një aksident automobilistik në rrugën kombëtare Fier-Ballsh, pranë vendit të quajtur “Transporti”. Ngjarja rrugore ka ndodhur mesditën e djeshme dhe si pasojë e përplasjes së dy automjeteve kanë mbetur të plagosur dy drejtuesit, ndërkohë që janë traumatizuar katër persona të tjerë, mes të cilëve edhe një kursant. Burime policore nga vendi i ngjarjes bëjnë të ditur se makina e autoshkollës me targa të Lushnjës, që drejtohej nga Gjergji Meço, instruktor, është përplasur me një makinë me targa të Fierit, që drejtohej nga shtetasi Agim Beqiraj. “Skema e ndërtuar në vendngjarje tregon se makina e autoshkollës ka qenë në kundravajtje dhe shkaktare e aksidentit”, kanë thënë për gazetën burimet policore prezent në vendin e ngjarjes. Policia e qarkullimit rrugor shprehet për gazetën “Shqip” se është shoqëruar drejtuesi i automjetit të autoshkollës, ndërkohë që ka nisur procedimi penal për këtë ngjarje.
#