Vrasja e Lulos, hetime për tetë persona
Hetimet për vrasjen e Elton Lulos, menaxher në një lokal nate, që u vra në fillim të këtij muaji pranë stadiumit “Dinamo” në Tiranë, janë ngushtuar shumë, duke futur në rrethin e të dyshuarve tetë persona. Gjashtë prej tyre janë persona që i kanë dhënë borxhe atij dhe nuk ua ka kthyer, ndërsa dy të tjerë për bashkëpunim në shpërndarje të lëndëve narkotike. Dyshimet kryesore janë mbi një person nga kjo tetëshe, i cili përshtatet edhe me përshkrimin e bërë nga dëshmitarët në vendin e ngjarjes, pavarësisht se njohja e plotë e tij mbetet e vështirë për shkak se vrasja ndodhi në një vend gjysmë të errët.
Pavarësisht se borxhet e 29-vjeçarit Lulo nuk ishin shumë të mëdha, burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se kjo është një ndër pistat kryesore të hetimit. Oficerët kanë mundur të zbardhin një listë prej gjashtë personash, të cilëve u kishte borxh 29-vjeçari, i cili punonte si menaxher në një lokal nate. Sipas të dhënave hetimore, këtyre personave u kishte borxh nga 100 mijë deri në 200 mijë lekë dhe problemi ishte se nuk ua jepte prej kohësh. Gjatë marrjes në pyetje, ata kanë shpjeguar se disa herë kishin shkuar të merrnin paratë te Lulo, por ai nuk ua jepte. Fillimisht u kishte dhënë nga një vlerë të vogël dhe më pas ishte zënë me ta, duke u shprehur se nuk kishte për t’u dhënë asgjë. Policia i ka skeduar të gjashtë personat dhe janë marrë në hetim për vrasje ndaj Lulos, ndërkohë që mësohet se vlera totale e borxheve arrin në 1 milion lekë.
Pista e dytë hetimore ka të bëjë me aktivitetin e jashtëligjshëm të Lulos. Sipas të dhënave nga grupi i punës, kohët e fundit Lulo ishte marrë në hetim nga Antidroga e kryeqytetit dhe shpërndante lëndë narkotike në vendin ku punonte. Nga të dhënat e mbledhura dyshohet se ai shpërndante kokainë dhe hashash. Për këtë arsye, policia ka identifikuar dy persona, që Lulo mund t’u kishte mbetur borxh e për larje hesapesh e kanë vrarë. Policia shpjegoi se në këta tetë persona, një është i dyshuar kryesor dhe gjatë gjithë kësaj kohe është mbajtur nën vëzhgim dhe pritet që me mbledhjen e gjithë informacioneve të bëhet dokumentimi i plotë i veprës penale, ku mbeti i plagosur edhe shoku i Lulos, Bledar Caca, që e shoqëronte në momentin e krimit.
I plagosuri, i cili ka marrë vetëm një plumb në dorë, ka mundur të shpjegojë për forcat e policisë se çfarë kishte ndodhur, pavarësisht se nuk kishte mundur ta shihte autorin. Sipas dëshmisë së tij, në ato momente ka qenë me kurriz nga autori i krimit, i cili ka qëlluar disa herë radhazi dhe nga krismat është çorientuar, e nuk ka mundur ta shikojë, pasi gjithçka ka ndodhur shumë shpejt dhe autori është larguar nga vendngjarja. Pas marrjes së mjekimit, ai është larguar nga spitali, pavarësisht se vazhdon të ruhet nga forcat e policisë.
Sipas të dhënave zyrtare të policisë kryeqytetase, 29-vjeçari u qëllua rreth orës 21:45 të datës 5 prill, në rrugën “Sulejman Delvina” në Tiranë, në ambientet e lokal “Cozmos”, ku mbeti i plagosur edhe miku i tij, Bledar Caca, 27 vjeç. Menjëherë në vendin e ngjarjes shkuan shërbimet e parandalimit të krimit të Komisariatit të Policisë Nr. 2 Tiranë dhe u formua grupi i posaçëm hetimor, i cili kreu menjëherë veprimet e para hetimore e procedurale, duke administruar të gjitha provat. “Gjatë natës së mbrëmshme, specialistët e Seksionit të Krimeve ndaj Jetës dhe Shëndetit kanë marrë deklarime, duke shoqëruar 35 persona si të dyshuar për këtë ngjarje. Pas hetimeve të bëra rezultoi se, viktima ishte i punësuar si menaxher pranë bar “Apple”, ku gjatë momenteve të ngjarjes viktima ka qenë në tavolinë së bashku me mikun tij në ambientet e bar “Cozmos”, i cili është plagosur lehtë në pjesët e duarve dhe aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
#