E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuliqi në Durrës: Kanabisi nuk na ka prishur punë për vizat

Fushata Vijon ngritja e shtabeve për luftën kundër kultivimit të bimëve narkotike

Kontrolle përmes satelitit dhe ajrit për evidentimin e bimëve narkotike, prefekti i Qarkut të Durrësit kërkon heqjen e shpejtë të Durrësit nga lista e zezë. Qarku i Durrësit renditet i dyti, pas Gjirokastrës me Lazaratin, në listën e qarqeve që kultivojnë bimë narkotike. Terreni i thyer i fshatrave të Krujës, veçanërisht ato të komunave Cudhi dhe Nikël, është shfrytëzuar për mbjelljen e bimës kanabis sativa, duke e kthyer qarkun në problematik. Gjatë vitit 2009 janë evidentuar 46 raste dhe janë asgjësuar 34732, po drejtori i policisë së Qarkut Durrës, Aleks Hajdari, pohoi se vetëm në 7 raste u arrit të zbulohen autorët të cilët përdorin terrene të vështira, kryesisht pyje dhe pa pronar. Përveç fshatrave të Krujës, raste më të pakta janë ndeshur dhe në Ishëm e Shetel, territore që mbulohen nga Komisariati i policisë së Shijakut. Kjo situatë ka mbledhur shtabin e luftës kundër kultivimit të bimëve narkotike në Prefekturën e Durrësit, për të analizuar situatën aktuale dhe ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim. Kreu i policisë së qarkut, Aleks Hajdari, pranoi se ndër shkaqet e kultivimit të bimës që ndikon dhe në imazhin e vendit është dhe neglizhenca e strukturave policore në Krujë, si dhe bashkëpunimi jo i mirë me pushtetin vendor. Numri dy i Policisë së Shtetit, Agron Kuliqi, tërhoqi vëmendjen mbi kontrollet joefikase të zonave dhe kërkoi që ato të intensifikohen deri në zhdukjen e fenomenit. Grupe të përbashkëta mes inspektorëve të policisë, atyre të pyjores dhe përfaqësues të pushtetit vendor do të shkelin çdo pëllëmbë të territorit në Krujë për të konstatuar zonat ku mund të ketë nisur mbjellja e bimës, ndërsa risi në luftën kundër bimës narkotike do të jetë kontrolli i territorit nga sateliti, si dhe me mjete të tjera nga ajri. Kuliqi ka theksuar se kjo luftë është e vazhdueshme dhe nuk ka ndikuar në procesin e liberalizimit të vizave për vendin tonë. Vatrat janë të shkëputura dhe pritet t’u jepet një goditje e fortë gjatë këtij viti. Ndërkaq, prefekti i Qarkut Durrës kërkoi nga shtabi që drejton nxjerrjen e qarkut nga lista e zezë e qarqeve që kultivojnë këtë bimë përmes koordinimit të mirë të punëve mes të gjitha strukturave dhe ndërgjegjësimit në terren.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›