E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkrimtari-fantazmë, Polanski, si dhe e vërteta plot hije

Ka dalë në kinema një nga filmat më të diskutuar të regjisorit të famshëm, Roman Polanski, që trajton fatin e një ish-kryeministri britanik shumë të ngjashëm me Toni Blerin

Pas telasheve me drejtësinë, që e çuan në pranga fundvitin e kaluar në Zvicër, një arrest që nga burgu u transferua në arrest shtëpie, emri i regjisorit të famshëm, Roman Polanski, rikthehet në qendër të vëmendjes, tashmë për arsye artistike. Fitues i “Ariut të Artë” në Festivalin e fundit të Berlinit, mbërrin më në fund në ekran, filmi i tij i shumëdebatuar “Njeriu në hije”, i bazuar në romanin e shkrimtarit anglez, Robert Harris. Në rolet kryesore në këtë film janë britaniku Ewan McGregor dhe Pierce Brosnan.

Protagonisti i filmit, i cili nuk ka emër dhe që interpretohet nga McGregor, i njohur në profesionin e tij si “shkrimtar në hije”, që merret kryesisht me biografitë e personazheve të famshëm si sportistë, apo njerëz të kinematografisë, thirret në Londër nga një botues i madh, me një ofertë të jashtëzakonshme dhe krejt të papritur. Ish-kryeministri britanik, Adam Lang, i tërhequr nga politika aktive, por që nuk ka hequr dorë aspak nga ambiciet e tij për protagonizëm, ka nënshkruar një kontratë për 10 milionë dollarë, për të botuar kujtimet e tij. Por shkrimtari dhe njeriu i tij i besuar vdiq befas në rrethana shumë tragjike dhe të mistershme. Në këto kushte, për ish-kryeministrin bëhet e shenjtë çdo sekondë që kalon, duke qenë se botuesit presin librin brenda një date të caktuar. Për të kryer detyrën e vështirë brenda kohës së caktuar, ekspertët që rrinin pranë ish-kryeministrit i caktojnë “shkrimtarit hije” detyrën e vështirë. Për këtë zgjedhje, mbi të gjitha, ata u nisën nga mungesa e përvojës politike dhe indiferenca ndaj zhvillimeve të saj, që ishin karakteristike të personazhit të interpretuar nga McGregor. Ky i fundit, sigurisht që e pranon propozimin, i cili ishte ndërkohë shumë ndjellës edhe nga ana financiare dhe sepse ai vetë është një tip që e lë veten ta marrë rrjedha e gjërave dhe se e ndjen veten të mikluar profesionalisht, duke u përfshirë nga një vanitet i thellë, edhe sepse e kishte shumë të qartë që emri i tij nuk do të dilte në asnjë rresht, apo vend. Ai, edhe në këtë rast, do të vazhdonte që të mbetej një “shkrimtar në hije”. Ai e pranon ofertën, edhe pse në fund të fundit, i dukej si një sfidë e vërtetë. Atij i kërkojnë që të hartojë një libër që të lexohet dhe të kuptohet nga lexuesi i thjeshtë, nga njeriu i rrugës, pa shumë filozofira, por një libër që të shfaqte një anë njerëzore të ish-kryeministrit. Në këtë mënyrë, suksesi do të ishte shumë i madh dhe sigurisht që edhe shitjet do të ishin të tilla. Por në fakt, që në fillim të punës, gjërat morën një kthesë shumë të rrezikshme dhe të ndryshme nga sa pritej në fillim. Ish-ministri i Jashtëm i kabinetit të Langut, i cili ishte përjashtuar nga qeveria me një dëm të madh edhe në karrierën politike, arrin që të nxjerrë një mandat-arresti për ish-shefin e tij nga Gjykata Ndërkombëtare e Krimeve të Luftës në Hagë. Akuzat ishin për krime lufte, për favorizim të arrestimit të katër bashkëkombësve të tij me origjinë nga Lindja e Mesme, të cilët i ishin dorëzuar CIA-s si terroristë. E ndërsa jeta e ish-kryeministrit, e ndarë mes së shoqes, e cila ishte ndihmësja e tij më e madhe dhe e kryetares, që e kishte të dashur, hyjnë në një moment të vështirë, shkrimtari në hije befas zbulon disa hollësira mbi veprimtarinë e ish-kryeministrit, që i kishte zbuluar edhe paraardhësi i tij, që kishte vdekur në rrethana shumë misterioze. Lidhja e madhe dhe e ngushtë e Lang me shërbimet sekrete amerikane, që nga kohët kur ishte student, fliste për një ndikim edhe në jetën si politikan. Por kjo lidhje kishte vazhduar e fuqishme dhe madje shumë aktive edhe gjatë kohës që Lang ishte Kryeministër i vendit, nën shërbimin e Madhërisë së Saj. Në fakt, nga të gjithë, ai konsiderohej si një nga aleatët më të ngushtë dhe më të devotshëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe një nga mbështetësit më të flaktë edhe të luftës në Irak, e nisur nga Uashingtoni. Në njëfarë mënyre, personazhi i ish-kryeministrit Lang i ngjan jo pak profilit të ish-kryeministrit britanik, Bler. Megjithatë ai është një thriller, që si roman ka pasur shumë sukses dhe si film është i mbarsur me shumë të papritura dhe befasi nga më të ndryshmet.

Dy janë veçoritë dalluese të këtij filmi. Së pari bëhet fjalë për një film që është i ndërtuar shumë sipas romanit dhe, së dyti, njeriu i vetëm, që gjendet në mes të një sërë gënjeshtrash, intrigash, tradhtish personale dhe institucionale, nuk ka të drejtë që të nxjerrë emrin në asnjë vend, nuk ka të drejtë që të hapë gojën, sepse marrëveshja e tij është që të mbesë në hije. Ai ka pranuar që të mos ekzistojë e madje të mos ketë as një etikë personale. Për më tepër, paraardhësi i shkrimtarit, një shkrimtar tjetër i shquar, kishte vdekur në rrethana të pakuptimta dhe ky ishte një kërcënim i drejtpërdrejtë për të. Por rasti i shkrimtarit të dytë është një përzierje mes shkrimtarit dhe gazetarit dhe ndërsa ai ndodhet në rrethana të çuditshme, nuk mund të mos tundohet nga situata dhe të nisë kërkimet tashmë në rolin e gazetarit. Megjithatë, sipas pjesës më të madhe të kritikëve, ky është një film që e ka përmirësuar më shumë librin, duke e plotësuar në detaje dhe në rrethana dhe duke nxjerrë kësisoj një produkt të këndshëm, tërheqës dhe informues.

Pjesa më e madhe e filmit zhvillohet në një vilë luksoze që ndodhet në një ishull në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë vilë, Polanski ka krijuar një atmosferë thrilleri shumë sugjestive, plot me dyshime dhe hije.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›