Fluturimi i parë ekologjik
Udhëtimi i parë ekologjik në historinë e njerëzimit u krye dy ditë më parë. U nis nga Parisi dhe u ul në Majami. Ishte një avion normal “Boeing 747-Er”, i kompanisë “Air France”, me 400 persona në bord, por që shënoi kthesë historike: arriti të kursente karburant dhe të ndoste më pak ambientin. Pas tre vjetësh studimi, provash dhe investimesh nga Bashkimi Europian dhe FAA, Autoriteti për Aviacionin Amerikan, projektet AIRE (Atlantic Interoperability Initiative to reduce Emissions) dhe SESAR (i projektuar për të modernizuar kontrollin e trafikut ajror) janë realizuar. “Air France”, që dha pak ditë më parë lajmin se ishte kryer udhëtimi i parë transatlantik ekologjik, foli për një sukses të padiskutuar, falë një kursimi prej 3 tonësh karburanti dhe 9 tonë C02, e barabartë kjo me 5 për qind më pak se sa një fluturim normal i kësaj linje. Për të mos folur për ndotjen akustike, që mund të ulet deri në -7 decibel. Plani që do t’i çojë qiejt europianë dhe amerikanë drejt një epoke të re që lidhet me uljen e emetimeve të C02 në hapësirë, është ende në fillimet e tij. Por vëmendja e kompanive, e ndërmarrjeve dhe vendeve të përfshira, është maksimale, duke parë që AIRE-SESAR synon të reduktojë deri në vitin 2020 ndotjen e shkaktuar nga avionët e linjës me të paktën 10 për qind. Me reduktimin e emetimeve të gazrave karbonikë do të ulet edhe konsumi i karburantit dhe mënyra e përshkrimit të një fluturimi. Në vitet e ardhshme do të ndryshojnë zakonet e drejtimit të një avioni. Do të kalohet nga sistemi i zakonshëm që parashikon korsi strikte me ngjitje dhe ulje me “shkallë”, tek ai të bazuar në progresionin e variacioneve të kuotës së lartësisë, me shpejtësi të kufizuar dhe ulje më të butë. Edhe faza të tjera, si ajo para uljes dhe ngritjes, do të bëhen me shpejtësi më të ulët dhe me gjysmën e motorëve në funksionim për të shkurtuar konsumin. Siç dihet, faza e uljes “me shkallë” është shkaku i harxhimit të një sasie të madhe keroseni. Në të ardhmen, këto shkallë synohet që të eliminohen. Të gjitha këto ndryshime parashikojnë një erë të re në botën e aviacionit për të përmirësuar eficiencën energjike të avionit dhe impaktin në ambient. Në vitin 2015, në avionë do të instalohen edhe teknologji të reja. Por aktualisht përpjekja e BE-së që për këtë projekt shpenzoi gati 2 miliardë euro dhe vuri në dispozicion mijëra teknikë dhe inxhinierë të fushës së aeronautikës, duket se po jep rezultate të mira: avionit të kompanisë “Air France” mes “Ville Lumiere” dhe plazheve të Majamit iu desh e njëjta kohë për të përshkuar distancën që ndan dy metropolet: 9 orë e 30 minuta. Nuk është një shifër e parëndësishme, tregon Massimo Garbini, drejtor i përgjithshëm i “Enav”, entit italian për asistencën në fluturim dhe pjesë e projektit gjigant ndëreuropian: “Qiejt deri në vitin 2030 do ta shohin të trefishuar trafikun ajror. Programi i ri synon reduktimin e emetimeve të CO2 dhe konsumit të karburantit. Për shembull për fluturimin nga Milano, në Romë do të ketë 27 kilogramë karburant më pak dhe 70 kilogramë CO2 më pak”. Me mënyrën e re të fluturimeve, reduktimi i emetimeve do të jetë 135 mijë tonë në vit, ndërsa vlerësimi për karburantin mendohet të shkojë në 43 mijë tonë në vit. Siç dihet, impakti i trafikut ajror mbi klimën është i destinuar të rëndohet gjithmonë e më shumë në vitet që vijnë. Në vitin 2005, në rang botëror u regjistruan më shumë se 20 milionë udhëtime tregtare në të gjithë globin. Dhe pavarësisht krizave të viteve të fundit, aviacioni civil po njeh rritje të vazhdueshme, si për numrin e udhëtimeve ashtu edhe për atë të pasagjerëve. Sot, çdo ditë, fluturojnë më shumë se 80 mijë avionë në ditë dhe brenda vitit 2050, kjo shifër do të dyfishohet. Për trafikun e dendur ajror duhen rreth 130 milionë tonelata karburant në vit, që e bëjnë aviacionin civil përgjegjës për 10 për qind të emisioneve globale të anhidridit karbonik, oksidit të azotit dhe ndotjes akustike.
Avioni me energji dielloreBast i fituar për avionin zviceran që punon me energji diellore. Avioni revolucionar “Solar-Impulse HB-SIA” kreu fluturimin e parë në lartësi, që u konsiderua si një sukses në përpjekjen për një botë më të pastër. I nisur në orën 10:27, në qetësi të plotë nga aerodromi i “Payerne” në Zvicrën Perëndimore, prototipi u ul pas 87 minutash fluturim dhe pasi arriti të kapte në ajër kuotën 1200 metra.
Pekini, aeroporti i rekordeveRritja ekonomike e Kinës kalon përmes Aeroportit të Pekinit, i destinuar të kalojë londinezin “Heathrow” në klasifikimin aeroporteve me më shumë pasagjerë në botë. Shifrat e dy muajve të parë të 2010-s tregojnë se në vend të parë është Atlanta, me 6.4 milionë pasagjerë në janar dhe shkurt, por nëse aeroporti amerikan mbahet mbi të gjitha për trafikun në shkallë kombëtare, “Heathrow” është konsideruar gjithmonë si një shkallë referimi për tregun ajror botëror. Por tani aeroporti më i madh i Londrës ka humbur pozicion, duke regjistruar në dy muajt e parë të 2010-s 4.6 milionë pasagjerë kundrejt 5.3 milionë të Pekinit. Në këtë rekord historik ndikojnë dy të dhëna: rritja e shpejtë e aeroportit aziatik, që dhjetë vjet më parë, as që shfaqej në renditjen e 30 aeroporteve më të rëndësishëm në botë dhe lloji i pasagjerëve. Në fakt, bëhet fjalë si për fluturime kombëtare, ku gjithmonë e më shumë kinezë udhëtojnë me avionë për shkak të mirëqenies, si për pasagjerë ndërkombëtarë që konfirmojnë tashmë se Pekini është porta e Azisë. Kjo e fundit është një e dhënë dhe më e rëndësishme, nëse mendojmë se në pjesën tjetër të botës aeroportet kanë mbajtur një numër stabël pasagjerësh ose një numër që ka shkuar drejt uljes. Një gjë është e sigurt, rekordi i Pekinit nuk është i përkohshëm, përkundrazi synon të rritet edhe më shumë për muajt në vazhdim, duke qenë se zakonisht tre muajt e parë të vitit konsiderohen si muaj të “vakët” për trafikun ajror. Londra duhet të marrë hak dhe të shfrytëzojë rastin e Olimpiadës, për të cilën kërkoi pas përurimit në vitin 2008 të terminalit të pestë, ndërtimin e një piste të tretë.
#