Shkumbini-Tirana, në Peqin luhet për Europën

www.albania-sport.com- Trajneri Sulejman Starova synon fitoren e tretë radhazi të Tiranës nën drejtimin e tij në Superligë, pavarësisht se kampionët ende të pa shkurorëzuar matematikisht do të përballen me Shkumbinin në Peqin, por me një “plus” më shumë, pasi takimi do të luhet pa shikues, pas vendimit të Komisionit të Disiplinë së FSHF-së, pas incidenteve që shoqëruan gjysmëfinalen e Kupës së Shqipërisë, Shkumbini-Besa.
Si Tirana, ashtu dhe Shkumbini, janë eliminuar nga Kupa e Shqipërisë, dhe të dyja skuadrat luftojnë për një vend në Europë për sezonin e ardhshëm, pjesëmarrje që ua garanton vetëm vendi i dytë dhe i tretë.
Nëse bardheblutë janë veteranë në përballjet ndërkombëtare, madje skuadra shqiptare që ka zhvilluar më shumë ndeshje nga të 13 ekipet që kanë luajtur të paktën një edicion në Europë (Tirana ka luajtur për herë të parë në vitin 1966), Shkumbini nuk e ka bërë kurrë një gjë të tillë, pavarësisht se në Europë kanë luajtur edh ekipe të tilla si Tomori dhe Albpetroli, që aktualisht militojnë në Kategorinë e Dytë.
“Ndeshja është e vështirë, por ne na duhen tri pikët”, - ishte deklarata e kursyer e trajnerit të Tiranës, Sulejman Starova. “Ditët e bukura për Tiranën kanë mbaruar, tani kemi shumë ekipe rivale”. Në fazën e parë, Tirana fitoi 2-0 me Shkumbinin.
Peqinasit kanë dy pikë më pak se Tirana e vendit të tretë (41) dhe një fitore me 24-herë kampionët e Shqipërisë, do të sillte edhe rokadën midis tyre në renditje, por edhe me një pikë më shumë për Shkumbinin.
Gjithsesi, për Shkumbinin do të mungojnë dy nga lojtarët më të mirë të tij, mesfushori Ilirjan Çaushaj dhe sulmuesi Erjon Mustafaj (ky i fundit u ndëshkua me karton të kuq në ndeshjen e fundit kundër Tiranës në Peqin).
Por, në dispozicion të trajnerit Përparim Daiu është Endri Bakiu, ky i fundit i siguroi triumfin peqinasve ndaj Dinamos në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë.
Trajneri Përparim Daiu tha se eliminimi i hidhur nga Kupa e Shqipërisë nuk pati ndikim te futbollistët e tij, dhe se pas pikës së marrë në barazimin pa gola në Laç, skuadra e tij e ka rigjetur moralin.
Shkumbini fitoi në ndeshjen e fazës së dytë ndaj Tiranës në fushën e tij 1-0 (gol i Isidor Sekserit) dhe në takimet e fundit, peqinasit kanë pasur disa rezultate pozitive, ku kulmi është fitorja 4-0 ndaj Dinamos, kampiones ende të pashpallur të Superligës.
“Tirana është një rival direkt i yni për një nga vendet që të çojnë në Kupat e Europës. Të gjitha ndeshjet deri në fund të kampionatit do t’i konsiderojmë si finale”, - tha Daiu, trajneri i tretë sezonal i Shkumbinit, pas Gugash Maganit dhe Kristaq Miles.
Burimi: Albania-sport.com
Kliko per te na ndjekur ne Twitter
E Premte, 16 Prill 2010
Shto dhe ti komentin tend Emri dhe e-maili