Shkup, shtohen tensionet, shqiptarët në rrezik
Edhe pse Ministria e Brendshme maqedonase ka bërë thirrje për të mos paragjykuar rezultatin e hetimit të vrasjes së pesëfishtë në rrethinat e Shkupit, maqedonasit akuzojnë shqiptarët si autorë të ngjarjes dhe po i kërcënojnë ata edhe në shtëpitë e tyre. Automjeti i një shqiptari në lagjen Radishan të Shkupit është djegur nga një grup maqedonasish, që protestonin për vrasjet e 5 personave mbrëmjen e së enjtes. Të maskuar me kapela, ata kanë qëndruar në rrugët kryesore të Radishanit duke kërkuar zbardhjen e ngjarjes, sipas agjencisë INA. Shqiptarët që jetojnë në atë zonë kanë ruajtur shtëpitë e tyre gjatë natës, pasi nuk kanë qenë të qetë, duke dëgjuar herë pas here kërcënime me vdekje. Edhe në fshatin Butel policia ka ndaluar në minutat e fundit një grup maqedonasish, që ishin nisur për sulm në shtëpitë shqiptare. Janë dëgjuar edhe të shtëna. Policia serbe vazhdon monitorimin e këtyre zonave.