E Shtunë, 31 Tetor 2026

UNESCO e ashpër, nuk njeh Kosovën!



Ndonëse lista është gati, nga Kosova asnjë moment kulture nuk është pranuar të përfshihet në UNESCO. Kur në këtë vend dje është festuar njëvjetori i pavarësisë, pjesa e trashëgimisë kulturore, protagonistët e monumenteve të kulturës dhe arkeologjisë nuk po arrijnë të bëjnë lobing më të fuqishëm sesa serbët, për t’u përfshirë në listën e trashëgimisë botërore.

Por arsyeja nuk duket kaq e thjeshtë sa për të alarmuar lobingjet. Është koha e politikës. Meqë Kosova ende nuk është pranuar nga Kombet e Bashkuara, edhe UNESCO nuk e njeh pavarësinë e saj. Një prej arkeologëve të njohur në Kosovë, Kemajl Luci, bashkautor i të parit botim mbi trashëgiminë e Kosovës, pra “Harta arkeologjike e Kosovës”, flet për “standard”, duke na treguar dhe dobësinë shqiptare përballë lobingut serb. Luci, arkeologu i specializuar për parahistorinë, na tregon rëndësinë e botimit mbi lokalitetet e përcaktuara si qendra të rëndësishme historike të Kosovës, një botim që është promovuar edhe në Tiranë, duke qenë edhe një nga veprat konkurruese në simpoziumin e albanologjisë që u mbajt në fund të vitit 2008. “Është e vërtetë se UNESCO e ka të vështirë të na pranojë në listën e trashëgimisë botërore. Në atë moment kur të pranohemi në Kombet e Bashkuara do jemi dhe anëtarë të UNESCO-s dhe atëherë do të jetë më e qartë gjithë kjo trashëgimi që ka Kosova”. “Harta arkeologjik e Kosovës” është një nga bashkëpunimet më të rëndësishme të ndodhur deri më tani midis Akademisë së Kosovës dhe Shkencave, arkeologëve të Shqipërisë, ku spikasin emrat si Luan Përzhita, Kemajl Luci, Gëzim Hoxha, Adem Bunguri, Fatmir Peja, Tomor Kastrati.

Për herë të parë, Kosova pajiset me hartën arkeologjike të saj, duke u prezantuar edhe si botim bashkë me një grup arkeologësh të të dyja vendeve, çfarë shënon kjo për Kosovën?

Ky botim, më së pari ka një rëndësi shumë të veçantë për Kosovës, sepse për herë të parë del një regjistër ku gjenden të gjitha lokalitetet arkeologjike që prej parahistorisë e deri te mesjeta. Kjo ka qenë një punë shumë e mundimshme. Kemi nisur punën për të hartuar hartën qysh prej vitit 1979, por për shkak të kushteve politike kjo punë u ndërpre dhe ka rinisur në vitin 2000. Kemi bashkëpunuar për këtë me kolegët e mi të Institutit Arkeologjik të Tiranës, veçanërisht Myzafer Korkutin, me të cilin kam pasur një bashkëpunim prej vitit 1980, por na u ndërpre për shkak të situatës politike të Kosovës.

U ndërprenë apo u ndalua nga serbët ky proces?

U ndalua. Vetëm pas çlirimit të Kosovës jemi takuar prapë me profesor Myzaferin, duke biseduar për të ardhmen dhe vendosëm kështu që ta punojmë këtë hartë arkeologjike së bashku.

Kjo është pjesa e parë e hartës së përgjithshme arkeologjike mbi territoret e Kosovës?

Ky është volumi i parë, ose pjesa e parë ku është përfshirë vetëm Kosova Perëndimore, ose pellgu i Drinit të Bardhë, rrafshi i Dukagjinit. Në projektet tona tani është edhe përfundimi i dy vëllimeve si Kosova Qendrore, Drenica dhe regjioni tjetër, Kosova Lindore, Gjilani, Ferizaj dhe Kaçaniku. Dhe aty shpresoj që për tre vjet e gjysmë-katër të dalin dhe këto vëllime, pra dy vëllimet e tjera.

Ndërprerja, ndalimi i hartës arkeologjike thatë se ka të bëjë me censurën serbe, me moslejimin e studiuesve kosovarë nga politika serbe për të njohur arkeologjinë e Kosovës?

Jo, ka qenë thjesht një ndërprerje e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Shqipërisë, ka qenë pas vitit 1981.

Para kësaj periudhe në hartat arkeologjike të ish-Jugosllavisë ishin njohur objektet arkeologjike që përfshihen në territoret e Kosovës si hershmëri shqiptare? Si ka qenë interpretuar arkeologjia e Kosovës më parë, nga serbët?

Kjo hartë nuk ka ekzistuar më parë. Pra, është hera e parë që bëhet harta e Kosovës. Më parë është punuar vetëm në lokalitete që kolegët arkeologë i kanë zgjedhur. Deri në vitin ’70-të, s’ka pasur asnjë arkeolog shqiptar në Kosovë. Pas këtyre viteve, filluan arkeologë të brezit të ri.

Si ka qenë shkruar historia arkeologjike e Kosovës në librat e historisë së ish-Jugosllavisë?

Ka ekzistuar një teori që në parahistori dhe antikë, Kosova ka qenë e ndarë sikurse serbët e kanë ndarë, duke e quajtur Metohi. Ky emër është një term politik qysh në 1917-1918, por ata kanë synuar që edhe në atë kohë, kur ka qenë e ndarë, duke justifikuar se kanë jetuar dy popuj të ndryshëm si në rastin e Dukagjinit me rastin e Kosovës. Me këto hulumtime dhe material të botuar tani, shihet qartas se ka jetuar një popull në të gjithë këtë strehë, populli i Dardanisë, si paraantike dhe antike.

Gjithnjë flasim para këtij botimi, të saktësimit përmes hartës arkeologjike, që tani e kemi në duar, ka qenë njohur Dardania si territor shqiptar, si interpretohej ky fakt?

Po ka qenë e njohur në libra profesionalë. Ai që është profesionist nuk hyn në politikë, por e tregon të vërtetën.

Pas botimit të kësaj harte, çfarë konkluzioni mund të shënojmë për arkeologjinë e Kosovës?

Kjo është një ndihmesë për gjeneratat, ku çdo ditë po humbin lokalitetet. Kështu ne lëmë një dokument. Normalisht pas 15 viteve kjo hartë duhet të plotësohet me të dhëna të reja, kështu i hapim rrugës brezave për të hulumtuar më tej në këto troje.

Çfarë është zbuluar përmes kësaj harte?

Janë evidentuar lokalitetet që prej parahistorisë deri në mesjetën e vonshme në këtë pjesë të Kosovës dhe janë sistemuar në atë vend që i takojnë. Jo se i ndihmon hulumtuesit e tjerë kjo hartë arkeologjike, por ndihmon komunat që t’i bëjnë planet e zhvillimit të saj, ku tani e kanë të qartë se ku gjendet një lokalitet. Kështu i largohemi atij rreziku se do të prishen lokalitetet e mbindërtimeve, si legale dhe ilegale. Pra, Komuna e Kosovës e ka shumë të lehtë, pasi tani kanë të dhënat që të hapin një muze special me to.

Para pak kohësh është nënshkruar një projekt amerikan për dixhitalizimin e objekteve monumentale të Kosovës. Edhe kjo ndodh për herë të parë atje, a mund të na flisni për shifrën e objekteve kulturore që përfshihen në Kosovë?

Që të bësh këtë dixhitalizim, më parë duhet të kesh hartën arkeologjike, pra duhen punët në terren, sikurse kanë ardhur kolegët nga Shqipëria, kanë bashkëpunuar me Muzeun e Kosovës, që kanë shkelur çdo pëllëmbë të tokës dhe pas kësaj ne mund të flasim për dixhitalizim.

Kjo do të thotë se tani hapësira, terreni për të eksploruar në Kosovë, dhe për të bashkëpunuar me të huajt është më e lehtë?

Normalisht është më e lehtë. Duke iu referuar kësaj harte arkeologjike, ne e kemi nisur bashkëpunimin me arkeologët e Institutit Arkeologjik nga Gjermania, të cilët këtë vit kanë filluar incizimin gjeofizik të lokaliteteve që ne i përcaktojmë si më të rëndësishme, të cilat duhet të hulumtohen në të ardhmen.

Cilët janë vendet, që arkeologët e huaj kanë shfaqur më shumë interes në hulumtimin e Kosovës, pasi na kujton Shqipërinë në kohën e Ugolinit?

Kjo varet nga arkeologët, me cilën periudhë merret Kosova, dhe të tillë ka plot. Vetëm në rrafshin e Dukagjinit janë evidentuar rreth 260 lokalitete nga parahistoria deri në mesjetë. Këtu secili arkeolog mund ta gjejë veten sipas specializimit të tij.

Kam lexuar para sa kohësh në mediat kosovare se UNESCO e ka vështirë të përfshijë në listën e trashëgimisë botërore monumente nga Kosova, ndonëse janë klasifikuar si të mundshme, kjo për shkak se nuk njeh pavarësinë e saj. Është e vërtetë kjo dhe çfarë e pengon Kosovën në këtë njohje?

Është e vërtetë se UNESCO e ka të vështirë të na pranojë në listën e trashëgimisë botërorë. Në atë moment kur të pranohemi në Kombet e Bashkuara do jemi dhe anëtarë të UNESCO-s dhe atëherë do të jetë më e qartë gjithë kjo trashëgimi që ka Kosova.

Është pak politikë e ashpër kjo nga ana e UNESCO-s, ka ndonjë arsye pas kësaj?

Është pak politikë e ashpër, pasi lobi serb në UNESCO është i fortë tani për tani dhe ata e ndalojnë këtë punë.

Mungesa e lobingjeve, duke pasur parasysh edhe në rastin e Shqipërisë, ju keni bërë përpjekje për të ngritur dhe forcuar lobingun tuaj si vend?

Puna jonë është lobimi më i mirë.

Kjo vetëm kaq do të thotë?

Do të thotë se ne duhet të punojmë më shumë.

Cilat janë disa nga objektet monumentale që mund t’i klasifikoni si përfaqësues për të hyrë në trashëgiminë botërore?

Përveç manastirit të Deçanit që është shpallur zyrtarisht kandidat, janë dhe dy manastire të tjera, që i takojnë kishës serbe, që janë lokalitete sikurse është kalaja e Artanëve, ish-Novo Berdo, është lokaliteti antik i Ulpianës, kalaja e Prizrenit dhe qendra e Prizrenit - këto janë qendrat më të rëndësishme që mund të hyjnë në mbrojtje të UNESCO-s tani për tani.

Duke pasur parasysh këto vende historike, çfarë pune është bërë nga specialistët për publikimin e tyre, si turizëm?

Me zbulimin e lokaliteteve të reja që ne po bëjmë, tani po punohet me lokalitetin antik të Ulpianës, kjo sipas interesit që kanë paraqitur si turistët e brendshëm, por dhe të jashtëm, që vijnë për të parë trashëgiminë antike të Kosovës.

Pse është aq e rëndësishme Ulpiana?

Ulpiana është një prej qyteteve më të mëdha antike. Pas tërmetit në 518, Justiniani i cili ka qenë me prejardhje nga Dardania, e ka rindërtuar këtë vend. Kjo tregon për një vazhdimësi të kulturës, ku në këtë vend kemi gjetje arkeologjike të parahistorisë antike dhe kohës së Bizantit.

Manastiret në Kosovë shpesh diskutohen mes kosovarëve dhe serbëve. Dimë se ka një debat të madh për këtë, që vazhdon të flitet, por specialistët ende nuk e kanë vënë kufirin. Çfarë mund të thuhet për këtë betejë religjionesh?

Ato manastire janë kosovare, sepse janë në trevën e Kosovës. Kjo është një temë për diskutim më tepër, ku të flitet për krishterimin në Dardani dhe përhapjen e saj në këtë trevë dhe pastaj do të vijmë tek e vërteta se të kujt janë këto manastire.

Ju besoni në krishterimin e Dardanisë?

Po besoj.

Intervistoi: Violeta Murati

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›