E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkurtimet ne buxhet rishikimi eshte levizje e detyruar

Rishikimi i buxhetit është një lëvizje e detyruar e qeverisë për shkak të mosrealizimeve në të ardhura që u shënuan në 6 mujorin e parë të 2011. Ky është vlerësimi i ekspertëve të ekonomisë Adrian Civici dhe Anastas Angjeli. Madje ish-ministri i financave vlerëson se nëse nuk bëhet kjo ndërhyrje ekonomia hyn në kolaps.

“Nqs do të vazhdohet me këtë buxhet, atëherë rrezikojmë që financat publike të hyjnë në një situatë tepër të vështirë, pse jo në një kolaps. Ndaj, një rishikim i buxhetit në parlament është i domosdoshëm. Po ashtu dhe një miratim i treguesve sa më realist në mënyrë që situata të mbetet nën kontroll”-thotë Angjeli.

“Sidomos mosrealizimi i të ardhurave në 6 mujorin e parë dhe një rritje e rritje e defiçitit buxhetor, e bëjnë të detyrueshëm një rishikim të buxhetit, për të mos tejkaluar disa nga parametrat kryesorë makroekonomik, si borxhi në raport me PBB-në, apo defiçiti buxhetor”-thekson Civici.

Ndryshe nga propozimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar për të ulur borxhin publik përmes rritjes së taksave, qeveria ka vendosur ta bëjë këtë përmes shkurtimit të shpenzimeve, Kjo sipas Anastas Angjelit dhe Adrian Civicit do të çojë në shtyrjen e një sërë investimesh për vitin e ardhshëm.

“Shkurtimi i shpenzimeve për investime do të thotë më pak zhvillim ekonomik, punësim, më pak taksa. Së dyti, FMN-së tha do të ulet ritmi i rritjes ekonomike nga 5.5 në dhjetor në 2.7 %. Kjo do të thotë përgjysmim i zhvillimit ekonomik për këtë vit”-theksoi Angjeli.
 
“Në njëfarë mënyre kjo është një masë që rregullon defiçitin buxhetor, raportet e borxhit me rritjen ekonomike apo GDP-në, por nga ana tjetër nuk krijon premisa të qëndrueshme për një rritje ekonomike të qëndrueshme”-shprehet Civici.

Qeveria ka vendosur të rishikojë buxhetin dhe ende nuk ka një plan të detajuar, por pritet që shpenzimet të preken më 20 miliardë.

Taulanta Boja

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›