E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vatikani: Vuajtje “e çmuar”

24/02/2005  Kushtet shëndetësore të Papës janë duke u rënduar, të gjithë e shohin, dhe ai po bëhet një simbol i fuqishëm për mesazhin e tij: që jeta është e shenjtë, pavarësisht se sa e dhimbshme

Shumë katolikë e shohin vuajtjen e Papës pak a shumë si agoninë e vetë Jezusit, dhe as Gjon Pali dhe as ata që i rrijnë pranë nuk i kundërshtojnë këto krahasime. Kur u pyet disa vite më parë, nëse do të shqyrtonte mundësinë e dorëheqjes, Gjon Pali thuhet se u përgjigj: “A mos zbriti gjë Krishti nga Kryqi”?

“Askush që ka zemër nuk mund të fshehë admirimin për kurajon e paepur që e bën Gjon Palin të ketë këtë qëndresë”, shkruan Duffy. “Askush që ka mend nuk mund të mos pyesë nëse Kishës i shërben më mirë sëmundja e gjatë e pastorit të saj kryesor, apo të pyesë veten se çfarë barërash të këqinj rriten përreth tij, ndërkohë që energjitë dhe përqëndrimi i Papës nisin të bien

Fytyra në dritaren atje lart, mbi Sheshin e Shën Pjetrit, është e vogël dhe e largët dhe, kur e sheh me një dylbi me distancë të gjatë, thuajse pa shprehje. Zëri dridhet, vetëm pak fjalë të nxjerra me një mundim torturues, të dëgjueshme vetëm falë altoparlantëve të fuqishëm, por që mezi kuptohen. Shumë pak njerëz janë në gjendje t’i afrohen Papa Gjon Palit për t’u përpjekur të lexojnë mendimet që fshihen pas maskës së sëmundjes në një mëngjes të diele, por disa prej tyre që kanë patur mundësinë t’i afrohen thonë se kanë parë me sytë e tyre dhimbjen e një njeriu me mendje vitale, një njeriu që e ka dashur jashtëzakonisht shumë jetën, i cili tashmë është i mbërthyer brenda një trupi, që nuk i sjell asgjë tjetër veç dhimbje. “Mund ta shohësh në sytë e tij”, thotë një prift. “Ajo lloj burgosjeje brenda atij trupi duket se i shkakton një agoni të madhe”.

E megjithatë – për arsye se është lideri i miliarda katolikëve romanë; sepse është i pari Papë i epokës së satelitëve dhe internetit, që çon fjalën te miliarda të tjerë, dhe për arsye se ai është Papa Gjon Pali II, që ka udhëhequr Kishën për më shumë se 26 vjet – në atë përvojë publike vuajtjesh qëndron një fuqi e jashtëzakonshme. Dhe këtë ai e di mirë. Më shumë se 20 vjet më parë, pasi e mori veten nga atentati me pistoletë, që thuajse i mori jetën përpara Shën Pjetrit, Gjon Pali deklaroi se vuajtja, si e tillë, është një prej mesazheve më të fuqishëm të Krishtërimit. “Vuajtja njerëzore shkakton dhembshuri”, shkruante ai në vitin 1984, “ajo shkakton dhe ndjell gjithashtu respekt, dhe me mënyrën e vet ajo edhe tremb”. Në vitin 1994, pasi mosha dhe sëmundja nisën ta dobësojnë Papën, gjë që u vu re edhe në publik, ai u tha ndjekësve të tij se kishte dëgjuar zërin e Perëndisë dhe kishte vendosur të ndryshonte mënyrën se si e udhëhiqte Kishën. “Duhet ta udhëheq me vuajtje”, tha ai. “Papa duhet të vuajë, në mënyrë që çdo familje dhe e gjithë bota të shohë se ka, do të thosha, një ungjill më të lartë: ai i vuajtjes, për të cilin çdokush duhet të përgatitet për të ardhmen”.

Tani, duke zhgënjyer disa reformatorë në kishë, që do të donin ta shihnin Papën 84-vjeçar të tërhiqej, Kalvari personal i Gjon Palit është bërë mesazhi i tij më i fuqishëm. Çdo dridhje e duarve të tij merr kuptim. (Ndonëse Vatikani nuk ka shpallur kurrë zyrtarisht shqetësimet parësore të Papa Gjon Palit, klerikë të lartë thonë privatisht se ai vuan nga parkinsoni). Tabloja e kushteve të tij shëndetësore kristalizon dashurinë e tij të madhe për jetën – mësimi më i rëndësishëm, koherent dhe i qëndrueshëm i Papacisë së tij – qoftë kur jeta kërcënohet që në mitër nga aborti, qoftë kur kërcënohet në pleqëri nga euthanasia.

Ndjesia e dramës së lartë lidhur me kushtet shëndetësore të Papës u intensifikua kur ai u dërgua me urgjencë në spital, më 1 shkurt, me ndërlikime të shkaktuara nga gripi. Ai është kaq i dobët fizikisht, saqë për pak sa nuk vdiq, dhe në ato kushte mund edhe të kish rënë në gjendje koma. Tani, këtë javë, në Romë pritet të mbahet një konferencë që pritet të rekomandojë ruajtjen e mbështetjes për jetën, edhe për njerëz në një “gjendje të përhershme vegjetuese”, pa asnjë funksion të qartë të trurit. Eshtë e pashmangshme që, pas kësaj, të ngrihen pyetje në lidhje me atë se sa kohë mund të mbahet gjallë vetë Papa, nëse reduktohet në kësi kushtesh. Megjithatë, shanset që Papa të largohet vetë ose të zhvendoset janë shumë të pakta.

Shumë katolikë e shohin vuajtjen e Papës pak a shumë si agoninë e vetë Jezusit, dhe as Gjon Pali dhe as ata që i rrijnë pranë nuk i kundërshtojnë këto krahasime. Kur u pyet disa vite më parë, nëse do të shqyrtonte mundësinë e dorëheqjes, Gjon Pali thuhet se u përgjigj: “A mos zbriti gjë Krishti nga Kryqi”? Këshilltarët e tij më të afërt thonë se debati lidhur me aftësinë e tij për të administruar Kishën, sikur të ishte drejtor i Përgjithshëm i një Korporate laike, nuk kupton thelbin e çështjes. Ky Papë nuk po bën një punë, ai po kryen një mision hyjnor, dhe dhembja e tij është në bërthamë të këtij misioni.

Lartësimi i vuajtjes mund të jetë i vështirë për t’u kuptuar nga shumë jokatolikë. (Kryqe protestantë, zakonisht nuk e përshkruajnë fare Jezusin, aq më pak në grahmat e vdekjes, siç tregohet në kryqet katolikë). Filmi i Mel Gibsonit, “Pasioni i Krishtit” u përpoq të transmetojë pushtetin e vuajtjes në një mënyrë grafike, të arritshme dhe jo pak sensacionale. Por vuajtja, thonë studiuesit, është në qendër të besimit; ajo është lidhja jetësore ndërmjet përvojës njerëzore dhe asaj të Krishtit si shpëtimtar. Ai ishte një viktimë që vuante, që dukej se ishte mposhtur nga fuqitë tokësore të kohës së tij. Por në momentin e tij të dobësisë së dukshme dhe humbjes, të krishterët e shohin si triumfator, që vdes për mëkatet e njerëzimit dhe hap rrugën drejt parajsës.

“Kryqi nuk është thjesht diçka që e var në mur”, thotë At Justo Lacunza-Balda, një misionar dhe drejtor i Institutit Papnor të Studimeve Arabike dhe Islamike. “Krishtërimi nuk ka lindur në një laborator apo një klasë shkolle; ai nuk është formuar një institut studimesh të larta. Ai ka të bëjë me vuajtjen, torturën, përjetimin e Krishtit në kryq”. Dhe shpresën. Në Afrikë, për shembull, ku kisha katolike po rritet më me shpejtësi se në çdo vend tjetër të botës, Papa i sëmurë mund të shihet si “prani e gjallë e thelbit të Krishtërimit, që është kryqi – dhe ringjallja”, thotë Laucanza Balda. “Ai nuk është thjesht një ikonë, gjatë të gjithë jetës ai është mishërimi i mesazhit të Krishtit”.

Në traktatin e Papës të vitit 1984, mbi fuqinë shëruese të vuajtjes, “Salvifici Doloris”, ai argumenton se vuajtja nuk është ndëshkim për një krim apo mëkat. Siç predikoi Isajah në Testamentin e Vjetër, apo siç mësoi Krishti në Ungjijtë dhe gjatë jetës së tij, vuajtja është thjesht pjesë e kushteve njerëzore – dhe mund t’i përgjigjesh më së miri me dashuri. “Duket se vuajtja i përket përsosmërisë së njeriut”, shkruante Gjon Pali. “Eshtë një nga ato pika ku, në një farë kuptimi, njeriu është i destinuar të shkojë përtej vetvetes”.

Por rënia fizike e Papës ngre gjithnjë e më shumë pyetjen se sa gjatë do të jetë ai në gjendje të funksionojë. Kush do ta drejtojë Kishën Katolike, dhe si, nëse Gjon Pali është ende gjallë, por jo në gjendje të shprehë dëshirat dhe lutjet? Vuajtjet e tij mund të jenë një simbol i fuqishëm i të mirës, por ato mund të shfrytëzohen në mënyrë cinike, nëse Papa dobësohet më tej akoma. Shumë pak në Kishë do ta sfidonin përkushtimin e Papës ndaj jetës, por ata vënë në dyshim një sistem autokratik që është përforcuar gjatë udhëheqjes së tij. Siç shkruan historiani katolik, Eamon Duffy, në Universitetin e Kembrixhit, kundërshtarët kanë parë “kishat lokale të shfuqizohen, kanë parë të mbytet zëri i kërkimeve intelektuale, gra të diskreditohen, kanë parë klerikalizmin të inkurajohet dhe kanë parë të varfërit të tradhtohen”.

“Askush, që ka zemër, nuk mund të fshehë admirimin për kurajon e paepur që e bën Gjon Palin të ketë këtë qëndresë”, shkruan Duffy. “Askush që ka mend nuk mund të mos pyesë nëse Kishës i shërben më mirë sëmundja e gjatë e pastorit të saj kryesor, apo të pyesë veten se çfarë barërash të këqinj rriten përreth tij, ndërkohë që energjitë dhe përqëndrimi i Papës nisin të bien”.

Në të vërtetë, ndërkohë që dobësia e Papës thuhet me zë gjithnjë e më të lartë, kritikët pyesin veten nëse burokratët e Vatikanit do të zbatojnë urdhrat e tij, apo do të hartojnë politikat e veta në interes të tyre. Në fund të fundit, nëse Gjon Pali vdes apo dorëhiqet, pushteti i trye në hierarkinë e kishës ka gjasa të avullojë. Prandaj ekziston dyshimi, me të cilin disa teologë shohin doktrinat e reja, që kanë të bëjnë me mbështetjen e pacientëve të përhershëm përmes mjeteve të jashtëzakonshme. “Tipat që flasin për të drejtën e jetës duan të mos pranojnë vdekjen e trurit dhe të mbajnë të gjithë në jetë përgjithmonë”, thotë John Paris, një teolog jezuit në Kolegjin e Bostonit, që ka shkruar prej 30 vjetësh në lidhje me çështjet e fundit të jetës. “Duket sikur mauzoleumi i Leninit do të shërbejë si model i së ardhmes”.

Nuk ka asnjë shkak të njohur të sëmundjes së parkinsonit, dhe nuk ka asnjë mënyrë për ta kuruar atë, por ecuria e saj nuk është mister. Në një pjesë të vogël të trurit, të quajtur substantia nigra, ka qeliza që ndihmojnë në kontrollin e lëvizjeve automatike të trurit. Simptomat e parkinsonit fillojnë kur pjesa më e madhe e atyre qelizave ka vdekur ose janë shkatërruar. Gjymtyrët nisin të dridhen jashtë kontrolli: në rastin e Papës, krahu i majtë. Lëvizjet bazë – të ecurit, të folurit, të gëlltiturit, të urinuarit – kthehen në një test vullneti ndërmjet mendjes dhe trupit. “Imagjinoni vetveten të mbështjellë me armaturë”, thotë dr.Abraham Lieberman, drejtor i Fondacionit Kombëtar të Parkinsonit në Majemi. “Nuk mund të ecësh. Lodhesh menjëherë, sepse gjithçka që bën është një përpjekje e mundimshme më vete”. Pjesa e sipërme e trupit mund të kontraktohet dhe si rrjedhim, merr një qëndrim të kërrusur.

Kjo ndikon në frymëmarrjen. “Një person normal merr frymë 14–18 herë në minutë”, thotë ai. “Papa me shumë gjasa merr frymë dy herë më shumë se kaq në minutë, sepse ai nuk mund të marrë frymë thellë. Dhe nëse e thith oksigjenin me frymëmarrje të shkurtra, kjo i lodh më shumë muskujt”.

Në fazat e përparuara të sëmundjes, pacientëve u duhet ndihmë për veprimet bazë, si për shembull të vishen, të shkojnë në tualet. “Për të dalë jashtë, ke nevojë për njerëz përreth, që të sigurohen që nuk do të biesh e thyesh diçka. Ke probleme për t’u kthyer në krevat gjatë natës”, thotë Lieberman. Të ngrënët përbën problem të madh, pasi gëlltitja, që duket një proces shumë i lehtë për një person të shëndetshëm, është në të vërtetë një proces i ndërlikuar, që përfshin koordinimin e një serie muskujsh. Nëse laringu nuk mbyllet automatikisht, dhe shpejtë, mund të mbytesh deri në vdekje.

Lieberman ka studiuar fotografi të Papës dhe beson se shenjat e para të sëmundjes kanë qenë evidente që në vitin 1986, kur ai nisi të kërruset. Që do të thotë se ai kishte shenja paralajmëruese më shumë se 19 vite më parë. Të dhënat e para për dridhje të gishtave të tij në dorën e majtë u mësuan në fillim të viteve nëntëdhjetë. Veç qëndrimit të kërrusur, Papa nuk mund të flasë me zë të lartë e të qartë. Por gjatë shfaqjeve të tij në publik, ai nuk shfaq shenja çekuilibri, që shoqërojnë zakonisht sëmundjen. “Duke patur parasysh kohën e gjatë që ka qenë me parkinson, jam i befasuar nga jo që ai po bën – shfaqje në publik, fjalime”, thotë Lieberman. “Shumë pacientë bëhen apatikë dhe nuk kanë dëshirë të bëjnë asgjë. Shumë njerëz tani do të kishin hequr dorë. Kjo tregon se Papa është një njeri i mrekullueshëm”.

Nuk është e qartë se çfarë mjekimesh merr Papa Gjon Pali II, apo sa efikase janë ato. Dr.Enrico Fazzini, një ekspert i sëmundjes së parkinsonit dhe profesor në Universitetin e Nju Jorkut, thotë se disa mjekë që kanë lidhje në Vatikan ishin konsultuar me të nëntë vjet më parë për të gjetur se çfarë ilaçesh mund të bënin punë për dridhjet e Papës. Vitin e kaluar, “The London Times” bënte të ditur se Papa merr levodopa, një trajtim standard, dhe përpara shfaqjeve në publik apo meshave zyrtare ai merr edhe një dozë apomorfinë hidroklorid, e cila ka efekt të shpejtë, por për një kohë të shkurtër.

Ndërkohë që trupi bëhet më i brishtë, rriten rreziqet e aksidenteve fatalë dhe komplikimeve. “Ka mundësi që Papa të vdesë nga ndonjë rrëzim apo ndonjë lloj infeksioni”, thotë Fazini. Ndonëse Papa lëviz në fronë të ndërtuar posaçërisht, nëse bie, ai nuk ka më reflekse apo forcë për të ndalur përplasjen përtokë. Edhe shkuarja në spital ka rreziqet e veta. “Spitali është një vend i keq për pacientët me parkinson”, thotë Fazzini. “Ata nuk kanë frymëmarrjen e duhur dhe ka shumë bakterie që i rezistojnë ilaçeve”. Kollitja është shumë e rëndësishme për largimin e infeksionit nëse ky ndodh në rrugët e frymëmarrjes. Por pacientët me parkinson nuk mund të kolliten ashtu si duhet, me muskujt e dobësuar. “Eshtë e vështirë të kollitesh aq fort sa të nxjerrësh mukozën, sidomos me qëndrim të kërrusur, si ai i Papës”, thotë Fazzini. “Nëse infektohen, ky është një makth i vërtetë”.

Më 1 shkurt u duk sikur po ndodhte ky makth. Sipas revistës katolike “Brenda Vatikanit”, botuar nga Robert Moinihan, Papa praktikisht po mbytej për vdekje, por pavarësisht lutjeve të sekretarit personal, peshkopit Stanislav Dzivisz dhe mjekut Renato Buzzonetti, Gjon Pali refuzoi për katër orë me radhë të shkonte për trajtim urgjent. Më së fundi u desh të dërgohej me shpejtësi në Spitalin Gemelli. “Po të kish ardhur 10 minuta më vonë, do të ish shuar”, shkruante Moinihan, duke cituar doktorët.

Gjon Pali doli nga spitali pas nëntë ditësh dhe u shfaq në dritaren e apartamentit në Vatikan ditën tjetër. Në një mesazh të shkruar, Papa u tha të sëmurëve në botë se “vuajtjet tuaja nuk janë të padobishme...por një gjë me shumë vlerë”. Ai mbetet në kushte shumë delikate. Javën e kaluar, Papa nuk mori pjesë për herë të parë në Kreshmë. Ai ka mbajtur gjithmonë meshë në fund të saj, por të shtunën e kaluar nuk e bëri. Kardinali Angelo Sordano, këshilltari i tij më i lartë, drejtoi në vend të tij. Megjithatë, edhe mungesa e vetë Papës kishte një fuqi më vete. Ajo përmbante pyetje: mbi jetën, vuajtjet dhe natyrën e Perëndisë.

Papa kujton atentatin në librin e ri

Ndërkohë që Papa nuk thotë se kush mendon ka qenë urdhërues i atentatit, ai e quajti atë “një prej konvulsioneve të fundit të ideologjive të dhunës të shekullit 20. Dhuna stimuloi fashizmin dhe hitlerizmin, dhuna stimuloi komunizmin”

Në librin e tij të ri, Papa Gjon Pali II, për herë të parë ka përshkruar publikisht momentet pasi u plagos rëndë në vitin 1981, duke thënë se ishte i pushtuar nga frika dhe dhimbja, por kishte një “ndjesi të çuditshme vetëbesimi” se do të jetonte.

Papa thotë gjithashtu në libër se atentatori i tij, Mehmet Ali Agca “e kuptoi që mbi fuqinë e tij – atë të goditjes dhe vrasjes – qëndron një fuqi më e lartë”.

Në librin “Kujtesë dhe Identitet – Bashkëbisedime mes Mijëvjeçarëve”, Papa thotë se kujton ta kenë dërguar me shpejtësi në spital, por nuk kujton shumë çfarë ndodhi pas mbërriti atje, sepse “isha thuajse në anën tjetër”. “O Zot! Kjo ishte një përvojë e vështirë. U zgjova ditën tjetër, aty afër mesditës”, shkruan Papa.

Libri, i pesti i tij, është në thelb një transkript i bashkëbisedimeve që ai ka patur në gjuhën polake me miqtë e tij të ngushtë, filozofin Krzystof Michalski dhe Jozef Tishner në 1993 në rezidencën e tij verore, pranë Romës. Libri ka dalë dje në Itali nga Rizzoli, i cili ka planifikuar gjithashtu të botojë një variant anglisht për në Shtetet e Bashkuara. Në libër, Papa ka reflektuar për një gamë të gjerë temash, dhe në shumë raste e krahason abortin me Holokaustin, duke thënë se të dy kanë qenë pasoja të qeverive që i janë kundërvënë ligjeve të Perëndisë.

Pjesa më personale e librit përmban kujtimet se si besimi i tij e ruajti, pasi u godit në bark nga atentatori turk më 13 maj 1981, teksa lëvizte në një makinë të hapur në Sheshin e Shën Pjetrit. “Po, e mbaj mend atë udhëtim për në spital”, shkruan ai. “Isha në vete edhe për pak kohë pas atentatit. Kisha një ndjesi që do të mbijetoja. Kisha dhimbje, kisha arsye për të qenë i frikësuar, por kisha këtë ndjesi të çuditshme vetëbesimi të lartë”.

Përpara se të mbërrinte në spital, ai i tha sekretarit personal, Stanislav Dzivisz që “unë e fal vrasësin”, siç thuhet në libër. Gjon Pali kujton besimin e tij se plumbi ishte mbajtur larg organeve jetësore nga një ndërhyrje hyjnore – që ia atribuon Virgjëreshës Marie të Fatimasë. Tre fëmijë barinj thonë se Virgjëresha Marie u doli përpara syve në Fatima dhe bëri disa profeci. Zyrtarë të kishës thanë në 2000 se njëra prej tyre fliste për atentatin ndaj Papës.

“Agca dinte si të qëllonte dhe ai qëlloi me vetëbesim, në mënyrë perfekte. Por, me sa duket, dikush i ka dhënë drejtim plumbit”.

Papa përshkruan gjithashtu takimin e tij me Agcan në 1983, në një burg në Romë. “Folëm gjatë. Ali Agca është, siç thonë të gjithë, një vrasës profesionist. Që do të thotë se vrasja nuk ishte iniciativë e tij, se dikush tjetër e mendoi, dhe dha urdhrin”, shkruan Papa.

“Gjatë të gjithë bashkëbisedimit, ishte e qartë se Ali Agcën e mundonte pyetja: Si ka mundësi që atentati nuk ishte i suksesshëm? Ai bëri gjithçka që duhej, u mori edhe me detajet më të vegjël të planit. Por, megjithëkëtë, viktima e shmangu vdekjen. Si ka mundësi?” Gjatë bashkëbisedimit, Agca u bë shumë kurioz në lidhje me sekretin e Fatimasë, shkruan Papa.

“Dhe diçka shumë e çuditshme... ky ankth e drejtoi te çështja e besimit dhe fesë. Më pyeti se çfarë është ky misteri i Fatimasë? Ku bazohet? Këtu ishte përqëndruar interesi i tij, këtë donte të dinte mbi gjithçka tjetër”, thotë Papa. Më tej vazhdon: “Ali Agca – besoj unë – e kuptoi se mbi fuqinë e tij qëndron një më e madhe. Ai nisi ta kërkojë. Unë uroj që ta gjejë”.

Ndërkohë që Papa nuk thotë se kush mendon ka qenë urdhërues i atentatit, ai e quajti atë “një prej konvulsioneve të fundit të ideologjive të dhunës të shekullit 20. Dhuna stimuloi fashizmin dhe hitlerizmin, dhuna stimuloi komunizmin”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›