Shmanget tragjedia në Durrës, në flakë anija me 1000 tonë naftë
Forcat zjarrfikëse kanë arritur të mobilizohen dhe të fikin në kohë zjarrin që përfshiu anijen me karburant
Një anije me 1000 tonë naftë është përfshirë në flakë ditën e djeshme në portin e Durrësit dhe vetëm ndërhyrja e forcave zjarrfikëse ka shmangur tragjedinë.
Ngjarja ndodhi në mesditën e ditës së djeshme, ku anija “Anastas 1” që ndodhej e ankoruar në kalatën numër 4 të portit të Durrësit, u përfshi nga flakët. Pas njoftimit të marrë, për të shuar flakët e zjarrit u përfshinë një numër i madh zjarrfikësish të cilët arritën që të vinin nën kontroll situatën brenda 30 minutash. Situata qe shumë e rrezikshme në port, pasi anija e përfshirë në flakë shërbente për transportin e karburanteve. Gjithsej në një rrugë të saj, “Anastasia 1” mbarte në hambarët e saj deri në 1 200 tonë të llojeve të ndryshme të karburanteve. Anija kishte mbërritur dje në port dhe po në këtë ditë nisi dhe shkarkimi i sasisë së karburantit.
Rreth orës 10:30 të paradites së djeshme u konstatua një zjarr në sallën e motorëve të cisternës së naftës “Anastasia 1”, anije greke që sillte naftë në Shqipëri për llogari të firmës Braka Oil. Zjarri është shuar në kohë duke shmangur një katastrofë, pasi ajo ishte e mbushur me naftë dhe për më tepër gjendej në mes të anijeve të tjera në port. Mësohet se vetëm një çerek e sasisë së naftës ishte shkarkuar. Ajo kishte ardhur nga Greqia me një ngarkesë prej një mijë e 200 tonë naftë. Mobilizimi i shërbimit zjarrfikës të portit dhe ardhja në ndihmë e mjeteve të tjera, akne bërë që të arrihej dhe të shmangej rreziku i përfshirjes në flakë i të gjithë anijes, që do të rrezikonte edhe mjetet e tjera të ankoruara në port. Sipas hetimeve paraprake, mendohet se shkaqet e zjarrit mund të kenë ardhur si pasojë e pakujdesisë së ekuipazhit ose ankorimit të gabuar në port. Kjo, pasi për shkarkimin e karburantit në kalatat e portit ka një vend të posaçëm. Ky është rasti i dytë që kjo anije përfshihet nga flakët, rasti i parë u shënua 2 muaj më parë kur ajo u përfshi nga flakët në det të hapur. Është ngritur një grup pune dhe ka filluar puna për zbardhjen e shkaqeve të rënies së flakëve