E Diel, 1 Nëntor 2026

Ish-të përndjekurit: “Të huajt s’e dinë ç’kemi hequr në diktaturë”



“OSBE-ja s’mund të bëjë Gjykatën Kushtetuese”

“Falënderojmë Kuvendin për miratimin e ligjit”

Ish-të përndjekurit politikë kundërshtojnë deklaratat e ndërkombëtarëve për kushtetutshmërinë e ligjit të hapjes së dosjeve, duke u kujtuar atyre tmerrin komunist që kanë hequr nëpër burgjet e diktaturës. Shoqata e ish-të Përndjekurve Antikomunistë reagoi dje përmes kryetarit Skënder Qendro.

Ai përshëndeti miratimin e ligjit, por duke u bërë të qartë ndërkombëtarëve se nuk ka kushtetutë në vende të lira demokratike që të kenë mandate mbi krimin. “Unë dhe shokët e mi kemi të drejtën morale, më shumë se askush tjetër, të ngremë zërin për ligjin “Për pastërtinë e figurave zyrtare”. Gjenocidi komunist ka marrë dënimin e merituar në të gjithë Evropën Lindore, vende të cilat përjetuan tmerret komuniste, por kurrsesi në masën që vuajtën shqiptarët e të gjitha moshave”, - tha z. Qendro. Me këtë rast ai shtoi: “Ne ish-të persekutuarit dhe të përndjekurit politikë falënderojmë Kuvendin për miratimin e ligjin “Për pastërtinë e figurave zyrtare”. Por ata shprehin habinë nga deklarata e ambasadorit të OSBE-së, sipas të cilit mandati i të cilit nuk është të bëjë Gjykatën Kushtetuese në Shqipëri. Qendro pohoi se asnjë i huaj në fakt s’mund të kuptojë se çfarë vuajtjesh kemi kaluar ne shqiptarët, gjatë periudhës së diktaturës komuniste. “Kjo është një çështje e historisë sonë. Çlirimi i institucioneve nga kriminelët është konsolidim i institucioneve demokratike dhe nuk ka kushtetutë në vende të lira demokratike që të ketë mandate mbi krimin”, - deklaroi kryetari i shoqatës antikoministe z. Skënder Qendro.

Ish-të përndjekurit politikë, në mënyrë të vazhdueshme kanë apeluar për hapjen e dosjeve, duke u mjaftuar qoftë edhe me një dënim moral të atyre që i pushkatuan, i burgosën dhe i internuan në kampet e përqendrimit. Ndonëse kanë provuar torturat më monstruoze të regjimit të kuq diktatorial të Enver Hoxhës, më të egrit në Evropën Lindore, ish-të përndjekurit politikë asnjëherë nuk janë shprehur për hakmarrje, por për një zbardhje të plotë të listës së ish-sigurimsave të shtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›