E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shoqëruesit e Ramës dhunuan gazetarin e TVSH-së

Mëhilli

Mazhoranca akuzoi dje Partinë Socialiste se ka keqtrajtuar një gazetar të Radiotelevizionit Publik Shqiptar. Ky akt u dënua nëpërmjet zëdhënëses së PD-së, Erla Mëhilli. “Badigardët e Partisë Socialiste, në nderim të ditës ndërkombëtare të lirisë së mediave, keqtrajtuan dhe nxorën me forcë jashtë konferencës së tyre për shtyp gazetarin e Radiotelevizionit Publik Shqiptar”, theksoi Mëhilli. Sipas saj, ky veprim ishte një dëshmi e gjallë e qëndrimit brutal ndaj mediave që u thonë qytetarëve të vërtetën. Mëhilli theksoi se hakmarrja primitive e Edi Ramës ndaj RTSH-së është për fajin e vetëm se gazetari ka sjellë në ekranin dhe valët e tij zërin e protestës së qytetarëve të Tiranës për vuajtjen që zoti Rama u shkakton atyre me bllokimin e trafikut çdo ditë. “Ky akt dëshmon faktin që Edvin Kristaq Rama është një armik i egër i lirisë së shtypit dhe një rrezik i madh për të drejtën e informimit. PD nuk habitet aspak me këtë qëndrim të zotit Rama, por fton mediat të ngrenë zërin e protestës ndaj këtij qëndrimi të Edi Ramës, si një rrezik i madh për të sotmen dhe të ardhmen e tyre”, deklaroi zëdhënësja e PD-së.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›