Fier, avokatët shtyjnë sërish gjyqin e Ruzhdies
Shtyhet sërish procesi gjyqësor i nisur për zgjedhjet e zonës elektorale të Ruzhdies. Shkak ka qenë mungesa fillimisht e komisionerëve të djathtë dhe më pas edhe ajo e avokatëve të tyre. Prokurori i çështjes, çlirim Sino, i ka kërkuar gjyqtarit Roland Jaupaj të ndjekë dhe të respektojë të gjitha procedurat ligjore për njoftimin e të pandehurve, por edhe të avokatëve të tyre.
Gjyqi ndaj pesë komisionerëve të djathtë, tre të majtëve dhe një banori të Ruzhdies, ishte lënë për t’u zhvilluar në orën 12:30 të ditës së mërkurë. Katër nga pesë komisionerët e djathtë janë paraqitur me vonesë në gjyq, ndërkohë që mësohet se bëhet fjalë për të pandehurit Bujar Kararaj, Shezaim Kararaj, Veledin Myftaraj dhe Pëllumb Myrtaj. Në seancën e gjyqit nuk janë paraqitur edhe komisioneri i PR-së, Robert Myftaraj, si dhe banori i Ruzhdies, Elmaz Donaj. Ndërkohë që dy nga tre komisionerët e PS-së, Ervin Myftaraj dhe Pëllumb Ferzaj përfaqësoheshin në gjykatë nga avokatët Vladimir Cjapi dhe Rozeta Plaku. Ndërsa komisioneri i tretë i PS-së, Qazim Aliaj, ka deklaruar se në seancat e ardhshme do të mbrohet me avokat.
Gjyqtari i çështjes “Ruzhdie”, Roland Jaupaj, ka vendosur shtyrjen e seancës së radhës për në datën 18 maj, në orën 10:30. Ky vendim për shtyrje të gjyqit ka ardhur si pasojë e mungesës së avokatëve mbrojtës të komisionarëve të PD-së. Edhe pse një pjesë e këtyre të fundit erdhën me vonesë, sërish ata kanë kërkuar që të përfaqësohen me avokat. Dy avokatët mbrojtës të pesë komisionerëve të PD-së, si dhe banorit të Ruzhdies, janë Zenun Hajdërmataj, kryetari i Dhomës së Avokatisë Fier, si dhe avokati Baftjar Shehu. Hajdërmataj ka justifikuar mospjesëmarrjen e tij në këtë gjyq, për shkak të prezencës së tij në Gjykatën e Apelit për një seancë tjetër, ndërkohë që avokati Baftjar Shehu sipas gjyqtarit Jaupaj nuk e ka marrë njoftimin për gjyqin.
Seanca e së mërkurës është seanca e tretë që mbahet për dosjen “Ruzhdie”, ndërkohë që rrezikohet që kjo çështje të zvarritet pafund. Komisionerët e qendrës së votimit me numër 30-52, si dhe banori i Ruzhdies po ndiqen penalisht për një sërë veprash penale që kanë lidhje me zgjedhjet e 28 qershorit të vitit të kaluar.
#