E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallen fituesit e edicionit të tretë të çmimit “AIITC”

23/06/2009  Tashmë është kthyer në traditë. Çmimi “AIITC”, i organizuar çdo vit nga Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam, i cili ka në fokus krijimtarinë e vitit që lëmë pas, ka “kurorëzuar” më të mirët. Personalitete të shkencës dhe artit shqiptar u vlerësuan dje në një ceremoni, ku morën edhe medalje argjendi, dëshmi motivuese dhe stimuj në vlerë monetare për arritjet e tyre. Studiues, artistë dhe personalitete të ndryshme konkurruan midis tyre për të fituar çmimin e madh për tri kategoritë: për librin më të mirë në fushën e shkencës dhe të kulturës islame, për pikturën më të mirë dhe për krijimtarinë më të mirë për moshat e reja. Mision qendror i çmimeve “AIITC” është stimulimi dhe motivimi i krijuesve shqiptarë për prurjet e tyre artistike e shkencore, të cilat gjykohen me objektivitet të plotë nga juria profesioniste për secilën kategori të çmimit. Për fituesin e vendit të parë për librin më të mirë të vitit në gjuhën shqipe, që trajton tema në fushën e shkencës, artit dhe kulturës islame” u akorduan 3000 dollarë, për kategorinë e pikturës u dha shpërblimi prej 1500 dollarë dhe për krijimtarinë e moshave të reja në prozë dhe poezi u akorduan 500 dollarë. Organizatori dhe drejtori i Institutit Shqiptar të Mendimit dhe të Qytetërimit Islam, dr. Ramiz Zekaj, në fjalën e tij përshëndetëse në fillim të aktivitetit theksoi se qëllimi kryesor i këtij evenimenti është stimulimi i krijuesve të talentuar për të qenë më shumë të motivuar në punën e tyre dhe që shkenca e arti shqiptarë të prekë majat më të larta të suksesit e të renditet përkrah vendeve të tjera evropiane. Gjithashtu ai shtoi se mungesa e një kritike aktive dhe të konsoliduar në trojet shqiptare e bën shumë të nevojshëm mbajtjen e këtij evenimenti, në të cilin testohen prurjet artistiko-shkencore të vitit dhe krijohet një orientim i qartë drejt vlerave të mirëfillta dhe mesazheve të dobishme për shoqërinë shqiptare, që ka kaluar shumë peripeci e sfida. Sipas zotit Zekaj, në këtë edicion të tretë të çmimit “AIITC” numri i konkurrentëve është rritur ndjeshëm, por në mënyrë të dukshme është rritur edhe niveli artistik e shkencor i krijimtarisë së paraqitur, gjë e cila e bën më të bukur, por njëherësh edhe më të vështirë dhënien e çmimit “AIITC”. Më pas përshëndeti të pranishmit kryetari i jurisë për vlerësimin e librit më të mirë në fushën e shkencës, kulturës dhe artit islam, i cili komunikoi emrat e fituesve. Libri më i mirë i vitit në fushën e shkencës dhe kulturës islame u vlerësua libri studimor me titull “Përkthimet e letërsisë arabe në gjuhën shqipe”, i cili sjell për lexuesin shqiptar ajkën e krijimtarisë letrare arabe. Ky libër, i hartuar me mjeshtëri nga profesori i orientalistikës në Universitetin e Prishtinës, dr. Feti Mediu, sjell një këndvështrim shumë origjinal dhe fakte shkencore të panjohura më parë. Vlerësime në këtë kategori morën edhe librat “Vexhi Buharaja - pa mite e mjegull” i autorit Yzedin Hima, libri publicistiko-letrar "Myftinia e Dibrës dhe Ruzhdi Lata" i autorit Mevlud Buci, libri "Hafiz Ibrahim Dalliu (Jeta dhe vepra)” i autorit Xhemal Balla, si dhe libri "Xhamitë e Tiranës” i autorit Roald Hysa. Për herë të parë në historinë e kulturës shqiptare akordohet një çmim i posaçëm për pikturat me tematikë “Peizazhi në penelat e piktorëve shqiptarë”, ku këtë vit me çmimin e parë u vlerësua piktori Idlir Koka. Çmimi iu dorëzua nga kryetari i jurisë së zhanrit të pikturës, zoti Ylli Drishti, i cili vlerësoi me nota pozitive të gjithë konkurrentët për krijimtarinë e tyre artistike në detajet e gjetura për paraqitjen e peizazhit. Në kategorinë e tretë të çmimit, pikërisht të krijimeve nga moshat e reja, pjesë e konkurrimit ishin të rinj mjaft të talentuar, të cilët krijimet e tyre i kanë afirmuar më parë edhe në botime të veçanta. Në këto krijime spikaste thellësia e mendimit, shprehja e rafinuar poetike, figuracioni i gjerë dhe filozofia e habitshme për moshat e tyre si individualitete krijuese. Larmia e formave poetike vërvitej rreth një boshti të vetëm, pikërisht rreth së bukurës në shpirt dhe në jetë, që ishte tema kryesore e këtij konkurrimi. Jo vetëm krijimtaria e botuar, por edhe dorëshkrimet e të rinjve të talentuar ishin në epiqendër të çmimit “AIITC”, me qëllim të evidentimit të vlerave dhe mbështetjes së vazhdueshme për afirmimin e tyre, sepse shpesh Instituti Shqiptar i Mendimit dhe i Qytetërimit Islam ka marrë përsipër edhe botimin e krijimeve të tyre. Kryetari i jurisë për krijimin më të mirë nga moshat e reja në prozë dhe në poezi me temë “E bukura në shpirt dhe në jetë” ishte prof. dr. Arian Kadiu, i cili bëri të ditur edhe fituesit e kësaj kategorie. Me çmimin e parë u vlerësua studentja e Fakultetit Histori- Filologji Aseda Behari për romanin e saj “Një jetë tjetër”, ndërsa me çmimin e dytë për lëvrimin e poezisë me thellësi filozofike u vlerësua Oltion Lila, student i Akademisë së Arteve në Tiranë. Çmime inkurajuese u dhanë edhe për të rinj të tjerë të talentuar, si Sytrim Halitaj nga Kosova për vëllimin e tij poetik “Vesa e përditshmërisë”, për poezitë e studenteve të Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë Lindita Pima dhe Gentiana Zmalaj, si dhe për nxënësen e shkollës së mesme “Qemal Stafa” Ejona Qesari. Ceremonia e ndarjes së çmimeve “AIITC” u finalizua me një koktej, në sfond të të cilit ishin të ekspozuara disa nga pikturat më të vlerësuara dhe librat më të mirë të autorëve konkurrues të edicionit të tretë të çmimit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›