E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpallen procedurat e teksteve për vitin shkollor 2011-2012

TIRANE- Ministria e Arsimit dhe Shkencës shpall procedurat e Altertekstit për tekstet shkollore të vitit 2011-2012 dhe me këtë mënyrë, shtëpitë botuese janë në kohë për të përgatitur tekstet e reja për arsimin parauniversitar.

Komisioni për Miratimin e Teksteve ka shpallur kërkesën për tekste shkollore për vitin shkollor 2011-2012.

Në mbështetje të paketës informuese Altertekst 2010-2011 janë publikuar kërkesa dhe afatet.
Për vitin shkollor 2011– 2011, shtepitë botuese kanë afat t’i dorëzojnë tekstet deri më 2 prill dhe shpallja e fituesve do të bëhet më 22 prill. Ndërsa për përzgjedhjen e teksteve për ribotim është përcaktuar periudha 1-25 mars 2011.

Sipas Komisionit për Miratimin e Teksteve, porositja e teksteve për ribotim do të kryhet nga 28-31 mars, ndërsa procesi i përzgjedhjes së teksteve me alternativa të reja do të nisë nga 10-25 maj.
Është vendosur që shpërndarja e tekstit shkollor të nisë në korrik- deri më 25 gusht dhe shitja e tyre të bëhet nga 25 gusht-15 shtator.

Sistemi i sigurimit të teksteve shkollore të arsimit parauniversitar ka pësuar një ndryshim rrënjësor gjatë viteve të fundit krahasuar me paravitin 2006, periudhë kur sigurimi i teksteve shkollore ishte i centralizuar.

Një vendim i Këshillit të Ministrave në mars 2006 zyrtarizoi mënyrën e re dhe reformën në sigurimin e teksteve shkollore, Altertekst-in dhe ngritjen e Bordit të Miratimit të Teksteve pranë MASH, i cili sot shqyrton paraprakisht të gjitha tekstet e propozuara nga botuesit dhe çertifikon ato tekste, që i paraqiten shkollës për përzgjedhje sipas kritereve të përmbajtjes, cilësive teknike dhe çmimit.

Që prej katër vitesh tekstet shkollore nuk sigurohen nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, por nga rrjeti i botuesve privatë. Si rrjedhojë, Ministria e Arsimit dhe Shkencës nuk zotëron më të drejtën për të përzgjedhur në mënyrë përfundimtare tekstin që do të vendoset në bankën e nxënës

Kjo e drejtë u ka kaluar mësuesve, që e përdorin tekstin me nxënësit e tyre. Për këtë qëllim, lejohet që në vend të një teksti të detyruar nga Ministria, mësuesit t'i paraqiten variante të ndryshme të përgatitura nga botues privatë, prej të cilave ai përzgjedh tekstet alternativë.

Alterteksti hedh tashmë në treg më shumë alternativa për çdo tekst shkollor, duke prurë realisht një ndryshim në të gjithë skenën arsimore, që vlerësohet një ndryshim pozitiv për prezencën e teksteve cilësor me standarde.
(atsh/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›