E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreu i Këshillit Bashkiak, Dervishaj: Buxheti, 3 muaj afat për tu miratuar

>Këshilli bashkiak nuk lëshon pe përballë ngutjes së kreut të Bashkisë së Tiranës, Edi Rama për të miratuar sa më parë projektbuxhetin e bashkisë, nga i cili do të ketë mundësi të përdorë si të dojë 6 milionë euro, një pjesë e mirë e të cilave vijnë nga taksat e banorëve kryeqytetas. Deklaratat e kreut të Bashkisë së Tiranës dhe vartësve të tij, për bllokimin e buxhetit të bashkisë, i cili sipas tyre po mban pezull projekte të parashikuara për Tiranën, duket se janë vetëm justifikime boshe dhe një mundim për të hedhur tutje kundërshtimet rreth këtij projektbuxheti. Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009, i cili është rrëzuar dy herë nga këshilli bashkiak, ka afat kohor për t'u miratuar deri në tre muaj. Gjatë kësaj periudhe, ky këshill mund të mblidhet disa herë për të diskutuar, apo votuar buxhetin e vitit 2009, që mund të rrëzohet disa herë, deri në gjetjen e konsensusit midis këshilltareve. Çdo diskutim për buxhetin kërkon kohën e vet. Në ligj është e qartësuar se buxheti mund të diskutohet deri në tre muaj, kohë kjo në dispozicion ku ai mund të miratohet, ose rrëzohet disa herë'', ka bërë të ditur kryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Sokol Dervishaj, sipas të cilit kjo nuk është hera e parë që po ndodh me projektbuxhetet e Ramës. Edhe buxheti i vitit 2008 u diskutua disa herë, deri në miratimin e tij përfundimtar në muajin mars të vitit 2008'', ka shtuar Dervishaj. Buxheti i Bashkisë së Tiranës për vitin 2009 u rrëzua dy herë. Për herë të parë, projektbuxheti u paraqit në këshill bashkiak më 19 dhjetor të vitit 2008, por shumica e këshilltarëve u shprehën kundër. E njëjta gjë ndodhi edhe më 12 janar të vitit 2009, ku projektbuxheti u hodh sërish poshtë nga votat kundër të këshilltarëve të PD-së dhe LSI-së. Në emër të këshilltarëve të PD-së, Ferdinand Pone deklaroi se, "ky është një projektbuxhet i pamotivuar, ka mangësi të mëdha dhe ne kërkojmë kryetarin e bashkisë që minimalisht, t'a mbrojë atë''. Ndërsa këshilltarët e LSI e cilësuan si ''një buxhet jo të denjë për kryeqytetin''. Gjithashtu reagim ka pasur dhe nga Shoqata e Njësive Bashkiake, që pohoi se votimi kundër i buxhetit ka qenë i drejtë për faktin se nuk ka qenë i detajuar sipas zërave, ç'ka sipas tyre, nuk u jepet zgjidhje ankesave të popullit. Gjithashtu, sipas kësaj shoqate, projektbuxheti mbi të gjitha nuk është transparent. Krerët e njësive bashkiake kanë vërejtur në këtë projektbuxhet parashikimin e një sërë investimesh, të cilat, kanë qenë parashikuar edhe në vitin 2008, por që në disa raste janë zbatuar gjatë atij viti e në disa raste jo. Dhe për këto investime, fondi i të cilave nuk dihet se si dhe ku është përdorur, Rama parashikon të shpenzojë, ose jo sërish gjatë vitit 2009.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›