Shpejtësia tej normave të lejuara i merr jetën 20-vjeçarit
TEPELENË – Shpejtësia në drejtimin e mjetit i ka marrë jetën një 20-vjeçari teksa po udhëtonte në aksin rrugor Tepelenë-Gjirokastër. Burimet zyrtare bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi pasditen e djeshme, rreth orës 17.30. Zëdhënësi i Policisë së Qarkut të Gjirokastrës bën të ditur se “automjeti, tip Alfa Romeo, me targa AC 629 ZL, i cili drejtohej nga shtetasi Sydrit Guma, lindur dhe banues në fshatin Luzat të Rrethit Tepelenë, ka dalë nga rruga dhe është përplasur me bordurën e lokalit “Denaj”, i cili ndodhet në anë të rrugës nacionale. Si pasojë e përplasjes, ky shtetas ka marrë plagë të rënda në kokë. Ai është dërguar menjëherë në Spitalin e Gjirokastrës për të marrë ndihmën mjekësore. Pasi ka mbërritur në spital, 20-vjeçari Guma ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të rënda. Në vendngjarje ka shkuar grupi hetimor. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se shkaku i daljes nga rruga ishte “shpejtësia tej normave të lejuara” dhe lagështia në rrugë si pasojë e reshjeve të shiut. Ky shtetas udhëtonte i vetëm në makinë dhe lëvizte nga Tepelena në drejtim të Ujit të Ftohtë.
Plagoset polici i pyjores, e qëlloi fqinji me mjete të forta
SHKODËR - Një punonjës i policisë pyjore është goditur me mjete të forta nga fqinji i tij duke përfunduar në gjendje të rëndë në spital. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Shkodrës bëjnë të ditur se ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të djeshëm në qytetin verior. Efektivi i Policisë Pyjore, Zef Guri, u godit befasisht nga një shtetas, të cilin ai e identifikoi me emrin Gjin Lazri. Sipas burimeve të policisë lokale, bëhet e ditur se 54-vjeçari ka qenë në një merkatë në lagjen “Partizani” kur u përball me fqinjin e tij. Pa shkëmbyer asnjë fjalë mes tyre, ai ka nisur ta godasë me mjete të forta në pjesën e kokës dhe pas veshit. I gjendur përballë një situate të tillë, 54-vjeçari ka nxjerrë armën e punës dhe ka qëlluar në ajër për ta trembur. Ka mjaftuar kaq që agresori të largohet, ndërkohë që i dëmtuari është transportuar nga persona të tjerë në spital. Pas mjekimit, gjendja e policit të pyjores është përmirësuar disi, edhe pse plagët e marra kanë qenë të thella. Sipas rrëfimit të tij për policinë, autori ka qenë komshiu i tij me të cilin kanë pasur konflikte. Ende nuk thuhet asgjë rreth konfliktit që kanë pasur dy personat, ndërkohë që policia mësohet se ka shoqëruar të dyshuarin në komisariat.
3 Dhjetor 2008