E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërndahen 3040 formularë, dorëzohen 50

09/03/2005  

Edhe dy javë nga dështimi i legalizimit në Shkodër

SHKODËR – Rrezikon të dështojë faza e parë e legalizimit të zonave informale. Vetëm 15 ditë kanë mbetur nga përfundimi i fazës së parë të legalizimeve të zonave informale në qytetin e Shkodrës, por të dhënat nga zyrat përkatëse të kësaj bashkie flasin për një rrezik dështimi të kësaj faze. Sipas kryetarit të komisionit të ngritur pranë Bashkisë, Adnan Bushati, në zyrën përkatëse të dorëzimit të formularëve janë paraqitur vetëm 150 kryefamiljarë me dokumentacionin e plotësuar sipas të gjitha kërkesave, si dhe ndonjë tjetër, që nuk e ka pasur të plotë dokumentacionin dhe i është kthyer përsëri për të bërë plotësimet e nevojshme. Shifra e dorëzimeve përbën më pak se 5% të formularëve të tërhequr nga qytetarët që i kanë banesat pa leje, duke pasur parasysh se janë tërhequr nga zyra që shpërndan formularët falas 3040 të tillë. Për t’u theksuar është fakti se kjo shifër nuk ka ndryshuar që prej 5 ditësh, duke bërë kështu të mundur arsyetimin se në qytetin e Shkodrës janë rreth 3040 ndërtime informale, që duhen legalizuar. Tre zonat informale në qytetin e Shkodrës janë ish-Zooteknika, ish-zona industriale, ish-artistikja, aktualisht lagjja “Mark Lula”, ku mendohet se janë rreth 3000 ndërtime pa leje dhe pjesa tjetër, pra rreth 40 të tilla, janë të shpërndara në hapësirat dikur boshe të qytetit të Shkodrës. Megjithatë, numri i paktë i dorëzimit të formularëve të plotësuar nuk po mundëson plotësimin e hartës me ndërtimet pa leje, në mënyrë që të bëhet studimi i nevojshëm për të kaluar në fazën tjetër, për të cilën duket se shpresat janë të vakëta.

Në përgjithësi, banorët e zonave informale, megjithëse pesimistë për këtë proces, kishin shkuar për të tërhequr formularët me mendimin se faza e parë e plotësimit dhe dorëzimit të dokumentacioneve do të shkonte vetëm me 1000 lekë, që duhej të dorëzoheshin në zyrën e Bashkisë, në momentin e dorëzimit të dokumentacionit, por më pas janë ballafaquar me shpenzimet paraprake, që duhet të bëheshin për të paguar topografin, apo edhe dokumente të tjera si çertifikatat, të cilat nuk mund të merreshin pa paguar edhe taksën e pastrimit të qytetit, si dhe taksën e banesës, gjë që, me sa tregojnë shifrat, i bëri ata të tërhiqen nga plotësimi i dokumentacionit për të përmbushur detyrimet e fazës së parë.

50 formularë

janë dorëzuar

3040 formularë

janë tërhequr

3 zona

përcaktuara informale

5 ditë

asnjë formular i dorëzuar

15 ditë

deri në përfundimin e afatit

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›