E Diel, 1 Nëntor 2026

Shpërndahen 40 leje legalizimi në Tiranë

11/08/2009  Në çdo mbledhje qeverie do të miratohen lista të reja të përfituesve

Agim Berisha: Procesi në kryeqytet do të mbyllet brenda dy muajve

Agjencia e Legalizimeve në kryeqytet vijon shpërndarjen e lejeve të legalizimit. Dje në ambientet e këtij institucioni u shpërndanë 40 leje legalizimi për personat që u ishte miratuar dosja e legalizimit dhe emri kishte kaluar në listat e Këshillit të Ministrave, duke realizuar njëkohësisht edhe pagesën përkatëse sipas njoftimit të Agjencisë së Legalizimeve. Pas marrjes së këtij dokumenti në zyrat e ALUIZNI-t qytetarët u drejtohen zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. “Ne po përgatitim punën e zakonshme për mbylljen e këtij procesi brenda dymujorit që deklaroi edhe kryeministri. Në çdo mbledhje qeverie ne do të përgatitim dhe kalojmë dosje për miratim. Kemi ndërtuar një grafik, ashtu siç është miratuar edhe me vendim të Këshillit të Ministrave. Ajo është radha jonë e punës. Përpunimi i dosjeve nuk bëhet i veçantë, por sipas zonave dhe blloqeve të zonave informale që janë miratuar në qeveri”, - theksoi dje për mediet kreu i ALUIZNI-t të Tiranës, Agim Berisha. Procedurat e pajisjes së qytetarëve me lejet e legalizimit janë tërësisht të përcaktuara dhe transparente. Njoftimi i tyre bëhet me postë ose me telefon për t’u paraqitur pranë zyrave të Agjencisë së Legalizimeve, sipas renditjes në listat e miratuara. Në Tiranë është kompletuar gati 80 për qind e dosjeve për legalizim. Pak kohë më parë qeveria miratoi 5 mijë dosje të tjera pikërisht për këtë qark. Sipas burimeve zyrtare, po punohet me kapacitet të lartë dhe tashmë janë mbyllur 30 mijë dosje. Për të gjitha dosjet që miratohen nga Këshilli i Ministrave mbetet vetëm kryerja e pagesës për t’u pajisur me lejen e legalizimit. Ndërkohë shumë shpejt pritet që të hyjë në fuqi edhe vendimi që do t’u mundësojë qytetarëve që 80 për qind e pagesës për legalizimin ta kryejnë nëpërmjet letrave me vlerë. Sipas një vendimi të qeverisë, drejtoritë rajonale të ALUIZNI-t, duke shfrytëzuar të dhënat e përftuara nga përditësimi dhe në përputhje me kriteret ligjore të miratuara, do të përgatitin një hartë kadastrale me vendndodhjen e ndërtesave dhe infrastrukturën përreth tyre, si sistemi rrugor, infrastruktura inxhinierike, studimet urbanistike. Në hartën e përpiluar pas verifikimit të të dhënave për ndërtimet në një zonë të caktuar duhet të pasqyrohen të gjitha ndërtesat duke i klasifikuar nëse janë për legalizim apo janë të përjashtuara nga ky proces.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›