E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shpërndahen formularët, banorët nuk i plotësojn

17/02/2005  Legalizimet, probleme e pakënaqësi edhe në Korçë

KORÇË- Filloi dorëzimi i formularëve për legalizim pranë bashkisë së Korçës nga qytetarët, të cilët kanë ndërtime pa leje. Këtë fakt e bën të ditur për gazetën, drejtori i Drejtorisë së Urbanistikës pranë kësaj bashkie, Dritan Pollo.

„Janë shpërndarë rreth 600 formularë për banorët e Korçës, të cilët pas plotësimit pritet që t’i dorëzojnë ato“.

Kanë kaluar gati 2 javë dhe vetëm tani u bë i mundur pranimi i këtyre formularëve. Arsyeja e kësaj vonese, sipas Pollos, ka qenë pritja e konfirmimit nga prefekti për miratimin e bazueshmërisë ligjore të tarifës që duhet të paguajnë banorët së bashku me vetëdeklarimin.

Para 10 ditësh, këshilli bashkiak miratoi një tarifë prej 5000 lekë të rinj, të cilën duhet ta paguajnë të gjithë ata që dorëzojnë formularin, tarifë kjo, e cila do të mbulojë të gjitha shpenzimet e njësisë së legalizimit. Gjatë kësaj periudhe, sipas Pollos, ka patur mjaft interes nga qytetarët për ta dorëzuar këtë formular, por nuk kanë munguar as shprehjet e pakënaqësisë, veçanërisht nga ana e atyre qytetarëve, të cilët kanë vetëm ndonjë shtesë në banesat e tyre lidhur me tarifën që duhet ta paguajnë detyrimisht.

Afati i dorëzimit të tyre është data 24 mars, kohë kjo e mjaftueshme që qytetarët të paraqesin formularët e plotësuar pranë zyrave përkatëse, shprehet Pollo. Pas kësaj date, grupi i legalizimit i ngritur pranë bashkisë së Korçës, do të merret me studimin e zonave informale, konkretisht do të shikohet nëse ka patur ndonjë rast mashtrimi nga qytetarët, të cilët mund të deklarojnë një sipërfaqe më të vogël të ndërtesës së tyre.

Sipas Pollos, në qytetin e Korçës numërohen rreth 500-600 ndërtime pa leje, përfshi këtu si zonat informale dhe ato urbane.

Ndërsa në Qarkun e Korçës, sipas përgjegjësit të sektorit të planifikimit fizik të territorit, Ermal Saraçi, numërohen mbi 3000 ndërtime pa leje dhe deri tani janë shpërndarë 2500 formularë të vetëdeklarimit për legalizim. Në pjesën më të madhe të njësive të qeverisjes vendore, ende nuk ka filluar procesi i dorëzimit të tyre.

Elbasani, procesi i vështirë për t’u realizuar

70 formularë të plotësuar nga rreth 1900 të tërhequr

ELBASAN- Megjithëse faza e parë e legalizimit ka nisur tashmë prej dy javësh, pranë zyrës së ngritur për këtë qëllim nga bashkia e Elbasanit janë depozituar vetëm 70 formularë të përfunduar. Më shumë se 3 mijë ndërtime pa leje pritet të përfshihen me anë të vetëdeklarimit për t’u legalizuar në bashkinë e Elbasanit. Sipas inxhinierit Alket Menkshi, deri dje janë tërhequr 1900 formularë, të cilët janë drejt plotësimit nga ana e qytetarëve, të cilët vendosin të legalizojnë banesat e tyre. Deklarimi i ndërtimeve pa leje, gjithashtu ka përcaktuar edhe zonat që kanë më tepër ndërtime për t’u legalizuar. Po në bazë të informacioneve nga zyra e legalizimit, lagjet që kanë më shumë ndërtime pa leje në Elbasan janë “5 Maji”, “Vullnetari”, “28 Nëntori”, “Shën Koll”, “Skënderbej” dhe “Emin Matraxhiu”.

L. Lleshi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›