Shpërndante drogë në kryeqytet, në pranga 40 vjeçari

Seksioni Kundër Narkotikëve ka bërë të mundur arrestimin në flagancë të shtetasit Liman Xhaver Tafhasi, 40 vjec, banues në Tiranë, i dënuar më parë disa herë për veprën penale të vjedhjes. Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi nga informacionet që dispononte Seksioni Kundër Narkotikeve, shtetasi Liman Tafhasi merrej me shitje të lëndëve narkotike të llojit heroinë.
Në sajë të një pune të mirëorganizuar rreth orës 19:00 në hyrjen e qendrës tregtare "Caza Italia" është konstatuar shtetasi Liman Tafhasi, i cili është ndaluar menjëherë nga policia dhe gjatë kontrollit fizik të tij në xhepin e pantallonave i është gjetur një qese ngjyrë blu brenda së cilës kishte pluhur me ngjyrë bezhë me karakteristika si ato të lëndës narkotike të llojit heroinë.
Sasia e lëndës së dyshuar si narkotike e llojit "Heroinë" me peshë 25 gramë iu sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij ju referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.