Mbahej jashtë afateve ligjore në burgun e Bënçës, lirohet i dënuari
Një bashkëpunim mes Avokatit të Popullit dhe kreut të Prokurorisë në Gjirokastër ka sjellë lirimin nga burgu të një të dënuari, të cilit i kishte përfunduar dënimi dhe mbahej në burgun e Bënçës jashtë afateve ligjore. Qytetari, i dënuar me 10 muaj burg për veprën penale të “kanosjes”, është liruar menjëherë nga mjediset e vuajtjes së dënimit ku mbahej padrejtësisht, ndërkohë që për këtë lirim është dashur një ndërhyrje dhe kontakt i drejtpërdrejt i komisionerit Skënder Halucaj me Kryeprokurorin e Gjirokastrës. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të institucionit të Avokatit të Popullit, i cili përshëndeti dje reagimin e menjëhershëm të prokurorit të rrethit të Gjirokastrës. I kontaktuar në linjë telefonike, vetë komisionari Halucaj sqaroi për gazetën “standard” se “qytetari I.T. u lirua menjëherë nga burgu, pas ndërhyrjes së ekspertëve të Avokatit të Popullit, të cilët konstatuan se ai prej disa ditësh mbahej jashtë afateve ligjore në burgun e Tepelenës, ndonëse i kishte përfunduar afati i kryerjes së dënimit”. Zbulimi erdhi në kuadrin e kontrolleve periodike që Avokati i Popullit kreu në disa burgje, dhoma paraburgimi dhe institucione të tjera penitenciare (të vuajtjes së dënimit). Katër ditë më parë, konkretisht më 25 shtator, u bë dhe një inspektim në Burgun e Sigurisë së lartë në Bënçë të Tepelenës. Grupi i ekspertëve të Avokatit të Popullit, gjatë takimit me të dënuarit konstatoi se qytetari I.T., i dënuar me 10 muaj burgim nga gjykata, e kishte përfunduar afatin e dënimit dhe megjithëkëtë ai vazhdonte të mbahej padrejtësisht në burg. Sipas komisionerit z. Halucaj, ky shtetas kishte përfunduar dënimin e dhënë nga Shkalla e Parë, ndërkohë që çështja ishte apeluar dhe pritej të vendoste Gjykata e Apelit. Zakonisht, në rastet ku përfundon dënimi, sipas Halucës, prokurorët i drejtohen gjykatës për përfundimin e dënimit të shtetasit dhe lirimin e tij, një procedurë që zgjat të paktën 5 ditë. Në momentin që ky fakt është zbuluar nga inspektimi i Avokatit të Popullit, si dhe mungesa e një avokati për të ndjekur hap pas hapi çështjen e tij, ka ndërhyrë direkt Avokati i Popullit, duke kërkuar që ky i dënuar, dënimi i të cilit ka përfunduar, të lirohet sa më parë sepse mbahet padrejtësisht. Kësaj kërkese i është përgjigjur pozitivisht kreu i Prokurorisë së Gjirokastrës, i cili, sipas z. Halucaj, urdhëroi lirimin e menjëhershëm të shtetasit I.T. Z. Halucaj përshëndeti ndërhyrjen vendimtare të kreut të prokurorisë, i cili vendosi lirimin e të dënuarit, i cili prej pak ditësh kishte përfunduar dënimin dhe mbahej ende në qeli në pritje të vendimit të gjykatës.